Ndalohen tifozët nga Prizreni në Mal të Zi, dyshohet se shkruan grafite në mbështetje të UÇK-së

23.10.2025

Policia malazeze ka ndaluar një grup tifozësh nga Prizreni në zonën e Igalos, pasi ata dyshohet se kanë shkruar grafite në mbështetje të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Sipas raportimeve të mediave malazeze, një autobus nga Kosova është ndalur nga policia, pasi pasagjerët e tij dyshohet se kishin shkruar fjalët “UÇK” dhe disa numra në mure të ndërtesave në vendin Meljine. Autoritetet thanë se po përcaktojnë kuptimin e plotë të mbishkrimeve.

Burime të gazetës “Vijesti” bëjnë të ditur se bëhet fjalë për një grup tifozësh nga Prizreni që po udhëtonin nëpër territorin e Malit të Zi. Policia ka reaguar menjëherë pas raportimit për grafitet dhe ka ndaluar dy persona që dyshohet se janë përgjegjës për këtë veprim.

Sipas portalit RTHN, të ndaluarit – shtetas të Kosovës – janë dërguar në Departamentin e Sigurisë në Herceg Novi, ku po zhvillohet procedura e përpunimit të tyre.

Ndërkohë, aksioni policor po vazhdon, dhe autoritetet kompetente kanë paralajmëruar masa të mëtejshme për identifikimin dhe ndjekjen penale të të gjithë personave të përfshirë në rast.