Fluks i bashkatdhetarëve, ankesa për vonesa në Mal të Zi
Pikat kufitare mes Kosovës dhe Shqipërisë po përjetojnë ditët më të ngarkuara të verës, me fluks të madh të bashkatdhetarëve që po vijnë nga vendet perëndimore për pushime në atdhe.
Vetëm në 24 orët e fundit, përmes pikës kufitare në Vërmicë kanë hyrë 52 mijë persona me 15 mijë automjete, ndërsa në total – hyrje dhe dalje – janë regjistruar 80 mijë qytetarë me 25 mijë vetura.
Pas shumë orësh udhëtimi, mërgimtarët në përgjithësi shprehen të kënaqur me rrugët dhe pritjet në kufijtë e Shqipërisë e Kosovës, ndërsa vështirësi më të mëdha kanë hasur në territorin e Malit të Zi, ku bllokadat dhe rrugët e dëmtuara kanë shkaktuar vonesa të gjata.
“Lodhje shumë, por krejt ka qenë në rregull, vetëm në Mal të Zi ishin rrugët e prishura dhe kemi hequr shumë për së tepërmi. I kemi bërë 9 kilometra për katër orë e gjysmë”, tha Jeton Krasniqi, një bashkatdhetar.
Mentor Morina shton se “pesë – gjashtë orë kemi bërë nga kufiri deri në Ulqin”, ndërsa Elona Jusufi tregon se, edhe pse kishte pak kolona, pritjet më të gjata ishin gjithashtu në Mal të Zi: “Një orë kemi pritur, por pjesa tjetër super”.
Nga ana tjetër, Baftjar Morina vlerësoi se kalimi në kufijtë Shqipëri–Kosovë ka qenë pa shumë vonesa dhe udhëtimi ka shkuar mirë.
Përveç mërgimtarëve kosovarë që hyjnë përmes Shqipërisë, tashmë edhe shqiptarë të Shqipërisë janë gjithnjë e më të pranishëm në Kosovë gjatë verës. Ardian Malshi, nga Mirdita, tha se kishte ardhur për një vizitë në Kosovë, por vuri në pah se “duhet të hiqet dogana” mes dy vendeve.
“Gjyshërit e mi e kanë bërë pazarin këtu, unë erdha për herë të parë, gjeta doganën. Gjyshi s’ka pas doganë, e unë po”, u shpreh ai me ironi.
Pavarësisht fluksit të shtuar, autoritetet kufitare në Vërmicë po punojnë me tetë sportele aktive, duke mundësuar qarkullim të shpejtë të qytetarëve dhe automjeteve.
“Janë shtuar kontrollet dhe korsitë. Vonesa për kontrollin e dokumenteve është maksimumi një minutë për veturë, ndërsa pritjet maksimale shkojnë deri në 20 minuta”, tha Shpend Qevani nga Policia Kufitare në Vërmicë.
Sipas Byrosë Kosovare të Sigurimeve, pajisja e veturave me policë sigurimi është bërë praktikë standarde dhe këtë sezon ka shtim të personelit për të përballuar fluksin. Agron Berisha nga BKS theksoi se automjetet më të shumta vijnë nga Zvicra, Gjermania, Italia dhe vendet nordike, ndërsa krahasimi me vitin e kaluar tregon shifra të ngjashme, por me ndryshime në kohën e ardhjes.
Përkundër lodhjes së rrugës, emocionet e kthimit në vendlindje mbeten të forta, ndërsa autoritetet u bëjnë thirrje bashkatdhetarëve për durim dhe respektim të rregullave kufitare gjatë kësaj periudhe të ngarkuar.
Kurti pranon urime për mandatin e ri nga kryeministrat e Maqedonisë së Veriut e Malit të Zi dhe Ambasada e Gjermanisë