Nasim Haradinaj e çon Specialen në Gjykatën e Strasburgut
Ish-ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Nasim Haradinaj, ka deklaruar se ka dorëzuar një ankesë në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, duke pretenduar shkelje të të drejtave të tij nga Gjykata Speciale në Hagë.
Foto: Ilustrim
Haradinaj ka theksuar se është dënuar pa argumentim të mjaftueshëm dhe se Gjykata Speciale ka refuzuar të pranojë provat materiale që ai ka paraqitur.
“E drejta njerëzore është baza për ankesën time. Avokati im është ankuar në Strasburg pasi kam shfrytëzuar të drejtën time si shtetas suedez. Lënda ime tashmë është dorëzuar në Strasburg, dhe unë e falënderoj avokatin Toby Cadman që e ka bërë këtë falas. Nëse do të duhej të paguaja, nuk do të kisha mundësi të mbrohesha, për shkak të financave që janë ndaluar nga Gjykata Speciale,” deklaroi Haradinaj në emisionin “Info Magazine” në Klan Kosova.
Haradinaj gjithashtu kritikoi mungesën e veprimeve kundër rrjedhjes së dokumenteve konfidenciale nga Gjykata Speciale. Ai tha se askush nga institucioni në fjalë nuk është mbajtur përgjegjës për rrjedhjen e dosjeve që përfunduan në zyrat e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së.
Kjo ankesë në Strasburg paraqet një hap të mëtejshëm në përpjekjet e Haradinajt për të sfiduar procesin dhe vendimin e Gjykatës Speciale, duke ngritur pyetje mbi transparencën dhe drejtësinë e procedurave gjyqësore të këtij institucioni.