Nagavci: Po injorojnë oferta shumë më të mira sesa vitet e kaluara, arsyen e dijnë vetëm udhëheqësit e SBAShK-ut 

  • 10.09.2022
Nagavci: Po injorojnë oferta shumë më të mira sesa vitet e kaluara, arsyen e dijnë vetëm udhëheqësit e SBAShK-ut 

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka kritikuar Sindikatën e Arsimit duke thënë se kjo sindikatë po injoron oferta të Qeverisë, të cilat janë “shumë më të mira” sesa ato që u ishin bërë vitet e kaluara.

Nagavci, përmes një postimi në facebook, ka thënë se do të ketë rritje të konsiderueshme në krahasim me Ligjin e pagave të vitit 2019.

Ajo madje u ka bërë thirrje mësimdhënësve që të vazhdojnë procesin mësimor sa më parë, duke marrë shembull edhe shtetet e tjera të Evropës dhe format e tyre të grevës.


Ky është postimi i plotë i Nagavcit:

Greva është instrument demokratik dhe legjitim për vënien në pah të problemeve të punëtorëve, në secilin vend demokratik.

Përtej specifikave historike e ligjore të secilit vend, praktikat gjithandej Evropës dhe botës e tregojnë një gjë: kur grevat janë të sinqerta dhe përdoren për t’i sjellë në agjendë të vendim-marrësve kërkesat e punëtorëve, ato nuk vazhdojnë edhe nëse nuk plotësohen 100% të kërkesave menjëherë.

Kur nuk e kanë për qëllim përmirësimin e kushteve të punëtorëve, por shantazhimin e palës tjetër, fshihen pas barrikadës së 100% të kërkesës, dhe atë menjëherë.

Para disa muajsh mësimdhënësit e Maqedonisë hynë në grevë duke kërkuar rritje të pagave. Nuk pritën që t’u plotësoheshin 100% të kërkesave, por ndërprenë grevën kur Qeveria u’a plotësoi një pjesë të kërkesave menjëherë, ndërsa u përkushtua për trajtimin e kërkesave të mbetura nëpërmjet reformave më sistematike në të ardhmen. Sindikalistët maqedonas u siguruan që, kur qeveria u’a plotësoi vetëm një pjesë të kërkesave të tyre, mësimi të vazhdojë e nxënësit të mos pësojnë.

Në Norvegji, nga qershori mësimdhënësit janë duke kërkuar rritje të pagave, nëpërmjet grevës. Por, tre sindikatat më të mëdha me short përcaktojnë nga 2-3 mësues në shkollë që do të mbajnë grevë në ditët përkatëse. Sepse, sindikalistët norvegjezë sigurohen që, paralelisht me trajtimin e kërkesave të tyre, mësimi do të vazhdojë e nxënësit nuk do të pësojnë.

Para disa vitesh, mësuesit bullgarë hynë në grevë duke kërkuar dyfishim të pagave. Greva u ndërpre kur Qeveria u’a rriti pagat 48%, dhe atë vetëm 22.5% menjëherë ndërsa pjesën tjetër pas një viti. Sepse, sindikalistët bullgarë u siguruan që, kur qeveria u’a plotësoi vetëm një pjesë të kërkesave të tyre, mësimi të vazhdojë e nxënësit të mos pësojnë.

Në shumicën e rasteve tjera, grevat zgjasin disa orë ose një ditë. Sepse, qëllimi është vendosja e kërkesave të tyre në agjendë dhe trajtimi i tyre sistematik nga vendim-marrësit, e jo të gjitha dhe menjëherë. Dhe, sidomos jo dëmtimi i nxënësve.

Edhe në Kosovë ka qenë e njëjta, gjithmonë. Në shkurt të vitit 2019, SBASHK-u ndërpreu grevën vetëm sepse zt. Kadri Veseli e zt. Ramush Haradinaj i’u premtuan rritje të pagave me projekt-ligjin për paga, dhe atë jo menjëherë por vetëm pas disa muajsh kur ai ligj do të miratohej e të hynte në fuqi. Në 2017, greva e paralajmëruar nuk u mbajt fare vetëm sepse Qeveria Haradinaj procedoi në Kuvend projekt-ligjin për projektligjin për statusin e punëtorëve të arsimit në vitet 1990-1999. Në 2015, greva u ndërpre kur Qeveria Mustafa pranoi vetëm njërën prej kërkesave të SBASHK e që kishte të bënte me përvojën e punës së mësimdhënësve.

Ndërkaq, në vitin 2005, SBASHK kishte ndërprerë grevën pasi që Qeveria Kosumi kishte rritur pagat e mësimdhënësve për 7 euro.Kësaj herë, SBASHK kërkesën kryesore e ka shtesën prej 100 euro në muaj (që pas taksave i bie rreth 80 euro), deri në hyrjen në fuqi të Ligjit për Pagat.

Por, për dallim nga e kaluara kur grevat i kanë ndërprerë vetëm me oferta, kësaj radhe kanë vendosur të injorojnë jo vetëm ofertat shumëfish më të mira, por edhe veprimet tashmë të ndërmarra që i afrohen shumë kërkesës së tyre.

Ndërkohë, veprimet e Qeverisë Kurti jo vetëm që janë duke i arritur, por duke i tejkaluar kërkesat e SBASHK. Një pjesë menjëherë, një pjesë me reforma sistematike.

I kemi ndarë nga 50 euro në muaj (të pataksueshme) për të gjithë të punësuarit e sektorit publik, përfshirë mësimdhënësit, nga shtatori deri në fund të këtij viti. Jemi në hapat e fundit të dorëzimit në Kuvend të Projektligjit për paga, i cili do të rezultojë me rritje të përgjithshme të pagave të mësimdhënësve, shumë përtej kërkesës së SBASHK-ut.

Në krahasim me pagat aktuale, rritja do të jetë domethënëse, nga 22.3% për drejtorët e shkollave të mesme të larta, deri në 40.2% për mësimdhënësit e shkollave fillore e të mesme të ulëta, e madje edhe 93.3% për bibliotekistët.

Me vlerën e koeficientit prej 120 eurosh, në vlera monetare rritja do të jetë nga 140 euro për drejtorë deri në 193 euro për mësimdhënës e madje 284 euro për bibliotekistë.

Rritje të konsiderueshme do të ketë edhe në krahasim me Ligjin e pagave të vitit 2019, i cili është shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese. Pa përmendur të gjitha proceset e përmirësimit të legjislacionit dhe mekanizmave për rritje të cilësisë së arsimit, e të cilat jemi duke i ndërmarrë me shumë zell.

Të gjitha këto SBASHKU i di, sepse u’a kemi komunikuar në vazhdimësi. Projekt-ligjin për paga e kemi ndarë për konsultim me ta ende pa dalë në konsultim publik, përtej obligimeve ligjore që i kemi. Kërkesën e parë për takim pas nisjes së grevës e kemi bërë ne, ani që kërkesat janë të tyre. Planin afatgjatë për përmirësim të cilësisë së arsimit u’a kemi komunikuar ne, sepse asnjëherë nuk ka pasur ndonjë kërkesë prej tyre.

Por, kanë vendosur t’i injorojnë. Arsyen e vërtetë e dinë vetëm udhëheqësit e SBASHK-ut, por përfundimisht kjo arsye nuk ka të bëjë me realizimin e kërkesave sindikale.

Përkundër kësaj, Qeveria dhe MASHTI do të vazhdojë ta bëjë punën që e ka në mandat për ta përmirësuar cilësinë e arsimit në Kosovë.

U bëj thirrje edhe njëherë mësimdhënësve që të vazhdojnë procesin mësimor sa më parë, duke reflektuar mbi gjitha veprimet e deritashme të Qeverisë e duke i dhënë mundësi reformave tjera gjithëpërfshirëse që janë në proces e do të përfundojnë së shpejti.

N'minuta
Suharekë, rruga e lagjes “Fan Noli” vërshohet nga mbeturinat, ankohen qytetarët
Suharekë, rruga e lagjes “Fan Noli” vërshohet nga mbeturinat, ankohen qytetarët
[FOTO] Vetura përplaset me ujkun në autostradën Prizren-Suharekë
[FOTO] Vetura përplaset me ujkun në autostradën Prizren-Suharekë
Disa të rinj kapen në video duke dëmtuar ulëset në “Shtigjet e Ecjes”, Muharremaj kërkon intervenimin e policisë
Disa të rinj kapen në video duke dëmtuar ulëset në “Shtigjet e Ecjes”, Muharremaj kërkon intervenimin e policisë
Ganimete Hoxha nga fshati Budakovë ka nevojë për ndihmën tuaj
Ganimete Hoxha nga fshati Budakovë ka nevojë për ndihmën tuaj
Suharekë, zjarrfikësit vazhdojnë të përballen me zjarre malore
Suharekë, zjarrfikësit vazhdojnë të përballen me zjarre malore
Ambient i pastër, “betonizohet” rruga në Zonën Industriale
Ambient i pastër, “betonizohet” rruga në Zonën Industriale
Zjarr mbi fshatin Sallagrazhdë
Zjarr mbi fshatin Sallagrazhdë
Kapen me marihuanë, arrestohen 4 të rinj në Suharekë
Kapen me marihuanë, arrestohen 4 të rinj në Suharekë
Aksident në autostradë në drejtimin Suharekë-Prizren, raportohet për të lënduar
Aksident në autostradë në drejtimin Suharekë-Prizren, raportohet për të lënduar
Aksident në autostradë në drejtimin Suharekë-Prizren, një person i lënduar rëndë
Aksident në autostradë në drejtimin Suharekë-Prizren, një person i lënduar rëndë