Miratohet Katalogu i Teksteve Shkollore, ekzekutohen subvencionet për nxënësit e klasave 1–9
Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka miratuar Katalogun Zyrtar të Teksteve Shkollore për vitin shkollor 2026/2027 dhe ka ekzekutuar mjetet për subvencionimin e teksteve shkollore në llogaritë e prindërve përfitues.
Procesi i aplikimit për prindërit dhe kujdestarët ligjorë ka nisur më 27 korrik përmes platformës eKosova. Aplikimet janë verifikuar fillimisht nga shkollat dhe më pas nga komisioni përkatës i MASh-it, ndërsa lista përfundimtare e përfituesve i është dërguar Ministrisë së Financave për transferimin e mjeteve.
Sipas vendimit të MASh-it, vlera e subvencionimit për tekstet shkollore në gjuhën shqipe është:
Klasat 1 dhe 2: 60 euro
Klasa 3: 65 euro
Klasa 4: 70 euro
Klasa 5: 80 euro
Klasat 6 dhe 7: 90 euro
Klasat 8 dhe 9: 100 euro
Me publikimin e katalogut, prindërit mund të nisin blerjen e teksteve shkollore. MASh-i ka bërë të ditur se çmimet e përcaktuara në katalog janë çmime finale dhe të detyrueshme për të gjitha pikat e shitjes.
Nga sot, Inspektorati i Arsimit do të zhvillojë monitorim të vazhdueshëm në pikat e shitjes për të verifikuar respektimin e çmimeve. Pas fillimit të vitit shkollor, inspektimet do të zhvillohen edhe në shkolla për të kontrolluar nëse nxënësit janë pajisur me tekstet shkollore.
Prindërit që vërejnë mospërputhje mes çmimit në katalog dhe çmimit të shitjes mund ta raportojnë rastin në numrat zyrtarë të MASh-it: +383 (0) 38 200 65 144 dhe +383 (0) 38 200 65 005.
Ndërkohë, sistemi i aplikimit në eKosova mbetet i hapur për fëmijët që ende nuk janë regjistruar në klasën e parë dhe pritet të regjistrohen në afatin e dytë, si dhe për prindërit e nxënësve të niveleve të tjera që ende nuk kanë aplikuar për subvencionim.
