Murati: “Rritje historike e pagave në sektorin privat gjatë Qeverisë Kurti 2”
Ministri në detyrë i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka bërë të ditur se paga mesatare bruto në Kosovë për vitin 2024 ka arritur në 598 euro.
Foto: Ilustrim
Duke cituar të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), Murati e ka cilësuar këtë si dëshmi të punës së Qeverisë Kurti në mbështetje të sektorit privat.
Në një postim në rrjetet sociale, Murati ka theksuar se kjo rritje e pagës mesatare në sektorin privat është më e larta historikisht. “Sipas të dhënave të publikuara nga ASK, në vitin 2024 paga mesatare në sektorin privat ka shënuar 598 euro bruto, apo 83 euro më shumë sesa viti paraprak. Sa për krahasim, rritja e pagës mesatare në sektorin privat vetëm në vitin 2024 e tejkalon krejt rritjen e pagës mesatare për 7 vite gjatë qeverisjeve të kaluara: Thaçi 2, Mustafa, Haradinaj (vetëm 74 euro rritje në periudhën 2012-2019). +218 euro (apo 57%) për 4 vite me Qeverinë Kurti 2. +74 euro (apo 22%) për 7 vite të qeverisjeve të kaluara,” ka shkruar Murati.
Ai më tej ka argumentuar se Qeveria Kurti 2 ka qenë më miqësore ndaj bizneseve sesa çdo qeveri tjetër e kaluar. “Kjo është dëshmia më e mirë se Qeveria Kurti 2 ka qenë qeveria e cila ka mbështetur më së shumti sektorin privat. Heqja e pagesave për terminale private doganore, heqja e monopolit të arkave fiskale, luftimi i korrupsionit, pagesa e faturave me kohë për operatorët ekonomikë, mbështetja e drejtë me qindra miliona euro grante e subvencione, subvencionimi i punësimit, por edhe subvencionimi i rritjes së pagave, janë vetëm disa nga veprimet dhe masat e shumta që e bëjnë Qeverinë Kurti 2 qeverinë më miqësore ndaj bizneseve, që ka ekzistuar ndonjëherë,” ka shtuar ministri.
Megjithatë, ajo që mungoi në fjalimin e Ministrit Murati ishte përmendja e inflacionit të përgjithshëm dhe në veçanti atij të produkteve ushqimore, i cili ka prekur ndjeshëm xhepat e qytetarëve. Ndërsa paga mesatare shënon rritje nominale, fuqia blerëse e qytetarëve mund të jetë zbehur nga rritja e çmimeve.
Mbetet të shihet se si qytetarët do ta perceptojnë këtë rritje të pagës mesatare në kontekstin e kostos aktuale të jetesës.