Murati: Janë ekzekutuar pagat e sektorit publik, 100 euro shtesa për fëmijët deri 16 vjeç dhe pensionistët

27.12.2024

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT) ka njoftuar se sot është kryer me sukses transferimi i pagave për shërbyesit publikë, si dhe shtesave të njëhershme prej 100 euro për fëmijët nën moshën 16 vjeç dhe për të gjithë pensionistët.

Ky transferim masiv, me një vlerë totale prej 140 milionë eurosh, ka përfituar mbi 400 mijë fëmijë, rreth 300 mijë pensionistë dhe mbi 83 mijë shërbyes publikë.

Ministri i Financës, Hekuran Murati, ka shprehur mirënjohjen e tij për stafin e MFPT-së për angazhimin e tyre të jashtëzakonshëm në realizimin e këtij transferimi në një kohë rekord. Po ashtu, Ministri Murati ka falënderuar Bankën Qendrore të Kosovës (BQK) për zgjatjen e sesionit të pagesave, që ka mundësuar që transferimi të kryhet para fundjavës.

“Falë një pune maratonike të stafit tonë, kemi arritur të finalizojmë me sukses këtë proces të rëndësishëm. Qytetarët do të fillojnë të shohin këto shuma në llogaritë e tyre bankare në varësi të bankës ku kanë llogarinë”, ka thënë Ministri Murati.

Ky transferim vjen si rezultat i vendimit të Qeverisë për të mbështetur familjet me fëmijë dhe pensionistët, duke u ofruar një shtesë të njëhershme për të përballuar më mirë kostot e jetesës.