​Mungon ministri Aliu, deputetët përplasen në Komisionin për mbikëqyrjen e financave publike

20.02.2024

Mungesa e ministrit të Infrastrukturës, Liburn Aliu për raportim në Komisionin për mbikëqyrjen e financave publike, ka bërë që deputetët e pozitës dhe opozitës të përplasen në mbledhjen e së martës.

​Mungon ministri Aliu, deputetët përplasen në Komisionin për mbikëqyrjen e financave publike Foto: Ilustrim

Anëtarët e komisionit nga opozita e konsideruan papërgjegjësi të madhe mungesën e ministrit Aliu, siç thanë për të dytën herë radhazi, derisa e vlerësuan si shqetësues, madje ftuan prokurorinë të hetojë kontratat njëburimore në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

Në anën tjetër, deputetët e mazhorancës e arsyetuan mosprezencën e ministrit Aliu, megjithatë potencuan se nëse i njëjti nuk vjen javën e ardhshme, raportin do të dërgojnë për shqyrtim në seancë plenare.

Kryetarja e komisionit, deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, tha se edhe në bazë të Raportit për Vendin nga BE-ja është vënë në pah se mbi 20 për qind të kontratave të prokurimit publik janë më tender një burimor.

“Unë po i referohem raportit të vendit të Komisionit Evropian, i cili është publikuar në fund të vitit 2023 dhe thotë se 20 për qind e kontratave të prokurimit publik nga qeveria, janë pa publikim të njoftimit për kontratë. Kjo nënkupton se janë tender njëburimor apo tender të negociuar”, tha ajo.

Megjithatë, deputetja e LVV-së, Mirlinda Tishukaj-Sadiku, tha se raporti i auditimit është i rëndësishëm dhe duhet të diskutohet në praninë e ministrit Aliu.

“Nuk është e vërtet se nuk iu është përgjigjur ftesave të komisionit tonë. E dyta, mendoj se është një raport i rëndësishëm për shkak se diskutohet për projekte që kanë filluar qysh në vitin 2018-2019, siç është rruga Plavë-Deçan, rruga Dollc-Gjakovë që është shumë me rëndësi me u përfundua”.

“Do të kemi shumë pyetje për këto çështje sepse janë të rëndësishme dhe këto projekte duhet njëherë e përgjithmonë të përfundojnë. Po ashtu një çështje tjetër që është evidente në raport të Zyrës Kombëtare të Auditimit tek komentet e kam pa se ka shumë mospajtime nga ministria në lidhje me të gjeturat, që janë kontestuar në një masë të madhe”, theksoi ajo.

Më kritik u shfaq deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj, i cili tha se në bazë të raportit shihen qartazi dobësitë në sistem sa i përket menaxhimit të punimeve në ndërtimin e rrugëve si dhe, siç tha legjitimitetit që po i bëhet keqpërdorimit të parasë publike, shkruan KP.

“Është një papërgjegjësi e madhe e ministrit, pikërisht për shkak të arsyeve që përdorët ju edhe kryetarja por edhe deputeti Korenica. Realisht kur ofrohen mundësitë për disa data të takimit dhe konfirmohet nuk mund të flasim për asnjë gjë tjetër, përveç se një dështim i ministrit që të jetë këtu. Ai mund të ketë arsye dhe takime të tjera, por çdo ministër e ka për obligim që t’i formalizojë agjendat në bazë të mbledhjes së komisionit”.

“Raporti në mënyrë të qartë tregon praktikën që është duke u bërë, sidomos për çështjen e rrugëve që ndërtohen të reja, për dobësitë në sistem sa i përket menaxhimit të punimeve dhe një legjitimim që i bëhet keqpërdorimit parasë publike”, deklaroi Qalaj.

Në anën tjetër, deputeti tjetër i LVV-së, Halil Thaçi kërkoi që mos t’i bëhet gjyqi publik ministrit Aliu, mirëpo të pritet javën e ardhshme kur të jetë ai prezent të sqarohen të gjitha paqartësitë.

“Unë jam ardhur këtu me shqyrtua raportin e auditimit, jo me ia bërë gjyqin ministrit. Jo me ia bërë gjyqin”, theksoi Thaçi, deputet i mazhorancës.

Mirëpo, atij i reagoi deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa, i cili ftoi prokurorinë ta marrë këtë raport dhe siç tha t’ia bëjnë gjyqin ministrit Aliu për të gjitha keqpërdorimet në dikasterin që drejton.

“Unë nuk jam me ia bërë gjyqin ministrit. Por nëse ky raport shkon në prokurori. Fatmirësisht se pushtetet janë të ndara dhe jam shumë optimist se ky raport ka me shkua në prokurori dhe ftoj të merren me këtë raport dhe jam optimist se gjyqin kanë me ia bërë ata që duhet me ia bërë”, tha ai.

Pas debatit, anëtarët e komisionit u pajtuan që ta ftojnë sërish ministrin Aliu për raportim me datën 27 shkurt.