Hykmete Bajrami kërkon anulimin e Testit të Maturës: Ka humbur besueshmërinë, po favorizon kopjimin
Deputetja e Hykmete Bajrami ka kërkuar anulimin e Testit të Maturës, duke e cilësuar procesin si të dështuar dhe të padrejtë për nxënësit që përgatiten me përkushtim.
Përmes një reagimi në Facebook, Bajrami tha se për gjashtë vjet radhazi po përsëritet i njëjti problem, publikimi i testit menjëherë pasi nis provimi, duke bërë që suksesi të mos varet nga dija, por nga mundësia për të kopjuar.
“Testi i maturës nuk po e shpërblen dijen, por po e favorizon kopjimin. Sot më të suksesshëm nuk dalin ata që kanë mësuar më shumë, por ata që kanë arritur të kopjojnë më shumë”, ka shkruar ajo.
Sipas Bajramit, kjo situatë përbën padrejtësi ndaj mijëra nxënësve të cilët kanë punuar me vite për të arritur rezultate të mira, ndërsa theksoi se problemi ndikon edhe në procesin e regjistrimit në fakultete.
Ajo vlerësoi se testi i maturës ka humbur besueshmërinë dhe kërkoi që të zëvendësohet me një sistem vlerësimi të bazuar në suksesin e arritur gjatë shkollimit fillor dhe të mesëm.
Në fund të reagimit të saj, Bajrami i bëri thirrje ministrit të Arsimit që të marrë përgjegjësi për situatën, duke theksuar se arsimi nuk mund të ndërtohet mbi kopjim.
