Hoti: LDK-së i duhet lidership i ri pas rezultatit të dobët zgjedhor
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka deklaruar se LDK-ja ka nevojë për lidership të ri pas dështimit në zgjedhjet e 28 dhjetorit, ku partia mori rreth 13 për qind të votave.
Në një reagim në Facebook, Hoti ka theksuar se duhet respektuar statuti i LDK-së në procesin e zgjedhjes së kryetarit të ri, duke kundërshtuar çdo devijim nga procedurat statutare.
Sipas tij, në rast dorëheqjeje të kryetarit, Kuvendi i LDK-së thirret vetëm për t’u njoftuar zyrtarisht dhe për të zgjedhur kryetarin e ri.Hoti ka theksuar se standardi i dorëheqjes pas një rezultati të dobët zgjedhor është vendosur që nga viti 2021 dhe se shmangia e këtij standardi do të ishte në kundërshtim me parimet e shpallura nga vetë lidershipi aktual.
Ai ka shtuar se LDK-ja ka nevojë për riorganizim të plotë dhe reformë të brendshme përmes një procesi transparent dhe gjithëpërfshirës, në mënyrë që të rikthehet besimi i qytetarëve.
Hoti ka paralajmëruar se nëse lidershipi aktual nuk merr përgjegjësi dhe nuk hap rrugë për reformë, ai do të japë dorëheqje.
Deklarata e Hotit vjen një ditë pas dorëheqjes së Hykmete Bajramit nga posti i nënkryetares së LDK-së, e cila ka kërkuar gjithashtu dorëheqjen e kryetarit Lumir Abdixhiku.
