Abdixhiku i përgjigjet Bajramit: “Më shumë se dorëheqja nuk kam çfarë të ofroj”

14.01.2026

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka reaguar publikisht ndaj deklarimeve dhe kërkesave të deputetes Hykmete Bajrami, duke theksuar se ka marrë hapin më të lartë moral duke ofruar dorëheqjen e tij dhe duke ia lënë vendimmarrjen Kuvendit të partisë.

Në një deklaratë të gjatë, Abdixhiku ka bërë të ditur se brenda strukturave të LDK-së është zhvilluar një debat i gjatë, mbi pesë orë e gjysmë, ku janë dëgjuar me vëmendje të gjitha kritikat, shqetësimet dhe qëndrimet. Sipas tij, në fund është dalë me një qëndrim që reflekton vullnetin e shumicës dërrmuese dhe jo mendimin e një individi.

“Kam marrë hapin më moral që një kryetar mund ta marrë: kam ofruar dorëheqjen time. Kam hapur rrugën për secilin që ka pretendime. Tani vendimi nuk është më i imi, është i LDK-së”, ka deklaruar Abdixhiku.

Ai ka theksuar se nuk është i lidhur pas pozitës, por pas partisë, duke shtuar se LDK-ja duhet të ruhet me rregull, dinjitet dhe besim në anëtarësinë e saj. Abdixhiku ka nënvizuar se eliminimet politike mund të jenë aspiratë legjitime, por për to duhet të vendosë anëtarësia dhe jo individë të veçantë.

Kryetari i LDK-së ka bërë të ditur se është thirrur Kuvendi i partisë, ku, sipas tij, debati duhet të zhvillohet hapur dhe me përgjegjësi. Ai ka kërkuar që diskutimet të mbahen brenda “shtëpisë” së LDK-së dhe jo në rrjete sociale apo nën ndikimin e reagimeve të kundërshtarëve politikë.

“Fatin tim politik e vendos përballë LDK-së, jo mbi LDK-në. Çfarëdo vendimi që merr Kuvendi, do ta respektoj me nder dhe qetësi”, ka theksuar Abdixhiku.

Në fund, ai ka bërë thirrje për qetësi, mungesë drame dhe protagonizmi, duke përmbyllur deklaratën me mesazhin se mbi çdo emër dhe çdo individ qëndron Lidhja Demokratike e Kosovës si institucion.

Foto: Lumir Abdixhiku