Mungesa e materialit për letërnjoftime, qytetarët do të përballen me këtë problem deri në fund të nëntorit
- 03.11.2021

Qytetarët të cilët po përballen me këtë problem thonë se nuk po ndihen të sigurt që vetëm me fletë aplikuese të udhëtojnë.
Për t’u pajisur me letërnjoftim, qytetarët po ankohen se po presin me muaj të tërë për një gjë të tillë, e kjo mungesë e pritje është vënë re tash e disa muaj.
Një qytetar tha se para tre muajve ka aplikuar për t’u pajisur me letërnjoftim, ndërkaq i kanë thënë se nuk ka material, duke shtuar se ka aplikuar në korrik dhe s’është pajisur ende me dokument.
Ndërkohë, nga zyrtarë në Ministrinë e Punëve tē Brendshme Radio Kosova mëson se furnizimi me material për prodhimin e letërnjoftimit pritet që të bëhet në fund të muajit nëntor, ndërsa deri atëherë, qytetarët e vendit mund të shërbehen vetëm me fleta aplikuese.
Në lidhje me këtë, ministri i MPB-së ka nxjerrë vendim, përmes të cilit mundëson përdorimin e letërnjoftimit, pavarësisht afatit të vlefshmërisë, në të gjitha institucionet publike dhe private të Kosovës.
Po ashtu, Agjencia e Regjistrimit Civil që nga 5 gushti 2021, u mundëson pajisjen me letërnjoftim të Kosovës çdo qytetari që paraqet dëshmi se do të udhëtojë përmes Serbisë, qoftë biletën kthyese ose dëshmi që ka hyrë në Kosovë përmes Serbisë.