Zgjatet orari i shërbimeve në Qendra për Pajisje me Dokumente gjatë festave

23.12.2025

Agjencia e Regjistrimit Civil (ARC) e Ministrisë së Punëve të Brendshme ka njoftuar se do të zgjasë orarin e punës në të gjitha Qendrat për Pajisje me Dokumente deri në ora 18:00. Ky orar i zgjatur do të vlejë nga 23 dhjetor 2025 deri më 15 janar 2026.

Po ashtu, dita e shtunë, më 27 dhjetor 2025, do të jetë ditë pune, me shërbime të ofruara sipas të njëjtit orar të zgjatur.

“Vendimi është marrë për të lehtësuar qasjen e qytetarëve dhe bashkatdhetarëve në shërbime, duke marrë parasysh fluksin e shtuar gjatë festave të fundvitit”, thuhet në njoftimin zyrtar të ARC-së.

Agjencia ka bërë të ditur se janë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për ofrimin e shërbimeve cilësore, me korrektësi dhe brenda afateve ligjore, për të garantuar një përvojë të rehatshme për të gjithë qytetarët.