MPB publikon udhëzues për përdorimin e sigurt të fishekzjarrëve
Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës ka prezantuar një udhëzues informues për përdorimin e sigurt të fishekzjarrëve, me qëllim rritjen e vetëdijes qytetare dhe parandalimin e incidenteve gjatë përdorimit të tyre.
Ky udhëzues është pjesë e një fushate sensibilizuese të realizuar në bashkëpunim me European Union in Kosovo, UNDP Kosovo dhe SEESAC, ndërsa fushata është përgatitur me mbështetje financiare nga Gjermania, Suedia, Holanda, Franca, Mbretëria e Bashkuar dhe Norvegjia, përmes Fondit të Mirëbesimit për Kontrollin e Armëve të Vogla dhe të Lehta (AVL) në Ballkanin Perëndimor.
Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, qëllimi kryesor i kësaj iniciative është të informojë qytetarët për rreziqet që mund të shkaktojë përdorimi i pakujdesshëm i fishekzjarrëve, si dhe për masat që duhen ndërmarrë për të garantuar sigurinë personale dhe atë publike.
Videoja dhe materialet informuese të kësaj fushate janë mbështetur nga Bashkimi Evropian, megjithatë MPB thekson se përmbajtja e tyre është përgjegjësi e vetme e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian apo të kontribuuesve në Fondin e Mirëbesimit.
Ministria u bën thirrje qytetarëve që të respektojnë udhëzimet zyrtare, të shmangin përdorimin e paligjshëm të fishekzjarrëve dhe të kontribuojnë në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, veçanërisht gjatë festave dhe ngjarjeve me numër të madh pjesëmarrësish.