Raport i Ministrisë së Punëve të Brendshme për vërshimet në Kosovë

08.01.2026

Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) bën të ditur se, bazuar në informacionet e Qendrave Operative Emergjente 112 dhe njësive në terren, situata e vërshimeve në Kosovë është përmirësuar ndjeshëm pas ndalimit të reshjeve të shiut dhe nisjes së reshjeve të borës.

Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, niveli i ujit në lumenjtë kryesorë është në rënie dhe aktualisht nuk ka rrezik të menjëhershëm për vërshime të reja.

Ministria e Punëve të Brendshme njofton se në Prishtinë me rrethinë, vërshimet janë të përqendruara kryesisht në disa nënkalime dhe në bllokimin e disa rrugëve dytësore, ndërsa gjendja në përgjithësi vlerësohet si e menaxhueshme.

Sa i përket komunave të tjera, MPB bën të ditur se në Prizren gjatë natës janë shënuar vetëm pak intervenime, kryesisht të natyrës teknike. Në Mitrovicë situata paraqitet kryesisht e qetë, ndërsa në Mitrovicën e Jugut disa familje janë evakuuar përkohësisht si masë parandaluese. Në Pejë janë raportuar dy intervenime në komunën e Istogut, përfshirë evakuimin e një familjeje, ndërsa në komunat tjera gjendja mbetet stabile. Në Gjakovë dhe Gjilan situata është e qetë dhe nën kontroll, me rënie të nivelit të ujit në lumenj.

Po ashtu, bëhet e ditur se Njësitë Profesionale të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit në të gjithë vendin janë në gjendje gatishmërie dhe të mobilizuara për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve. MPB thekson se Sistemi i Komunikimit Emergjent 112, në bashkëpunim me Qendrën Operative të Agjencisë, është në monitorim dhe koordinim të vazhdueshëm të situatës 24 orë në ditë.

Ndërkohë, Ministria njofton se reshjet e borës dhe ngricat kanë shkaktuar vështirësi në qarkullimin rrugor në disa zona të vendit, ndërsa disa rrugë vazhdojnë të jenë të bllokuara për shkak të shembjeve të dheut. MPB u bën thirrje qytetarëve për kujdes të shtuar gjatë lëvizjes.

Sipas Ministrisë, Agjencia e Menaxhimit Emergjent, përveç reagimit me forca operative në gjithë territorin e Kosovës, ka ofruar mbështetje edhe për KEK-un dhe KOSTT-in duke siguruar pompa thithëse me kapacitet të lartë për largimin e ujit nga objektet e prekura, të cilat vazhdojnë të jenë në funksion sipas nevojës. Institucionet përgjegjëse mbeten në gatishmëri të plotë për reagim dhe koordinim, ndërsa situata po monitorohet vazhdimisht përmes sistemit emergjent 112.