[FOTO] Mot i acartë dhe borë në Kroaci: Trafiku i vështirësuar në disa zona
Ndryshimi i paralajmëruar i motit ka mbërritur, duke sjellë reshje të dendura dëbore në pjesë të ndryshme të Kroacisë.
Në zonat malore si Lika dhe Gorski Kotar, bora ka nisur të krijojë një mbulesë të konsiderueshme, ndërsa dëbora është regjistruar edhe në zonat urbane si Zagreb, Karlovac, Sisak, Bjelovar dhe Kutina.
Gjithashtu dendësia më e madhe e borës është shënuar edhe në zonat bregdetare, nga Dubrovniku në Drejtim të Splitit. Mërgimtarët që kalojnë përmes Malit të Zi drejt Kroacisë duhet të kenë kujdes të veçantë.
Sipas parashikimeve meteorologjike, mbulesa e dëborës në kontinent mund të arrijë mbi 30 centimetra, veçanërisht në rajonet malore. Reshjet pritet të ndërpriten gradualisht drejt mbrëmjes, temperaturat e ajrit do të bien ndjeshëm, duke variuar nga -2°C deri në 3°C në kontinent dhe nga 6°C deri në 11°C në Adriatik.
Paralajmërime në fuqi për borë dhe erëra të forta
Instituti Shtetëror Hidrometeorologjik (DHMZ) ka lëshuar një alarm të verdhë për zonat qendrore dhe malore për shkak të borës dhe mundësisë së akullit në rrugë. Në bregdet, alarmi është në fuqi për stuhitë e forta jugperëndimore dhe erërat e fuqishme që kanë prekur zonat veriore dhe jugore të Adriatikut.
HAK: Apel për kujdes maksimal në rrugë
Auto Club Kroat (HAK) ka paralajmëruar shoferët që të informohen paraprakisht mbi gjendjen e trafikut dhe kushtet e rrugëve përpara se të nisen në udhëtim. Për shkak të borës dhe akullit, rrugët janë të lagështa dhe të rrëshqitshme, ndërsa në zona si Lika, Gorski Kotar dhe Kroacia qendrore janë vendosur kufizime të lëvizjes për automjetet pa pajisje dimërore.
Rrugë të rëndësishme, përfshirë autostradat A1 dhe A6, janë të mbyllura për kamionë me rimorkio dhe traktorë me gjysmërimorkio, ndërsa lëvizja është ndaluar për automjetet e grupeve I dhe II në disa segmente të rrugëve për shkak të erërave të forta dhe borës së dendur.
Parashikimi për ditët në vijim
Ndërsa reshjet pritet të ndërpriten gradualisht gjatë pasdites së sotme, moti i kthjellët do të mbizotërojë përgjatë Adriatikut të shtunën. Në brendësi të vendit, mjegulla dhe ngrica do të jenë prezente në mëngjes. Të dielën, kushtet meteorologjike do të përkeqësohen sërish, me reshje të vogla shiu në veri të Adriatikut dhe Gorski Kotar.
Shoferët dhe qytetarët këshillohen të jenë të kujdesshëm gjatë lëvizjes, duke marrë masa paraprake për sigurinë personale dhe për të shmangur aksidentet në rrugë.
Më poshtë janë të mbyllura për të gjithë trafikun (për shkak të borës ose pemëve të rrëzuara):
- ŽC4030 Duzluk – Kutjevë
- ŽC4100 Gornji Vrhovci – Poljanska
- ŽC4253 Slatinski Drenovac – Jankovac
- ŽC5217 Bruvno – Mazin – Dobroselo – Donji Lapac.
Rruga Split – Dubrovnik foto:



