Ministrja e Arsimit thotë se këtë vit tekstet shkollore do të shpërndahen me kohë

22.06.2022

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), Arbërie Nagavci ka thënë se nuk do të ketë më vonesa dhe papërgjegjësi në shpërndarje dhe pranim të teksteve shkollore. Ajo ka theksuar se këtë vit janë përkujdesur që palët e përfshira në procesin e shpërndarjes dhe pranimit të teksteve shkollore të jenë të informuar mirë për […]

Ministrja e Arsimit thotë se këtë vit tekstet shkollore do të shpërndahen me kohë Foto: Ilustrim

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), Arbërie Nagavci ka thënë se nuk do të ketë më vonesa dhe papërgjegjësi në shpërndarje dhe pranim të teksteve shkollore.

Ajo ka theksuar se këtë vit janë përkujdesur që palët e përfshira në procesin e shpërndarjes dhe pranimit të teksteve shkollore të jenë të informuar mirë për afatet kohore dhe përgjegjësitë e tyre.

“Neglizhenca e askujt nuk guxon të dëmtojë nxënësit tanë! Komisioni për evidentimin dhe shpërndarjen e teksteve shkollore (KEShTSh) i themeluar nga MAShTI, do të mbikëqyrë zbatimin e përgjegjësive nga DKA-të dhe shkollat në proces të përzgjedhjes së teksteve shkollore nga aktivet profesionale, raportimin e numrit të saktë të kërkesave për tekste shkollore, pranimin e porosive dhe shpërndarjen e teksteve shkollore”, ka shkruar ministrja Nagavci në Facebook.

Po ashtu, ajo ka shkruar se kalendari i aktiviteteve për shpërndajen e teksteve shkollore dhe përgjegjësitë institucionale të secilit tashmë janë ndarë me të gjithë. Është hera e parë që një proces kaq i rëndësishëm po strukturohet opercionalisht si duhet.

“Tekstet shkollore nuk do të dërgohen më në shkollat tona në fillim të shtatorit gjatë procesit mësimor, por, shumë më herët në kohë, në fund të muajit korrik.MAShTI do të jetë në përkrahje të vazhdueshme të DKA-ve dhe shkollave në këtë proces, por nuk do të lejojë që obligimet ligjore të palëve të kalojnë në shpërdorim apo neglizhencë institucionale.Jemi të përkushtuar për tekste shkollore cilësore për nxënësit tanë dhe shpërndarja e teksteve me kohë për të gjithë nxënësit është një pjesë e rëndësishme e këtij rrugëtimi.

Të gjitha detyrat dhe përgjegjësitë e palëve mund të gjenden në Udhëzuesin për evidentimin dhe shpërndarjen e teksteve shkollore: KËTU.