Nagavci: Deri tani kanë aplikuar 50% e prindërve për subvencionin e librave
Ministria e Arsimit ka hapur aplikimin për subvencionimin e teksteve shkollore dhe materialeve mësimore për vitin e ri shkollor, përmes platformës digjitale “e-Kosova”.
Ky program synon të lehtësojë barrën financiare të prindërve dhe kujdestarëve për blerjen e librave dhe materialeve të tjera për nxënësit.
Ministrja në detyrë e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka deklaruar se deri më tani rreth 50 për qind e prindërve kanë aplikuar për këtë mbështetje financiare. Ajo theksoi se subvencioni kap shumën prej 80 eurosh për çdo nxënës nga klasa 1 deri në të 5-ën për blerjen e librave dhe materialeve mësimore, ndërsa për nxënësit nga klasa 6 deri në të 9-ën, shuma prej 80 eurosh është e dedikuar për fletore pune dhe materiale të tjera ndihmëse.
Nagavci gjithashtu është ndalur tek ankesat e ngritura nga qytetarët për cilësinë e librave që kanë qarkulluar vitet e kaluara. “Nuk e përjashtoj mundësinë që të ketë pasur raste të tilla, mirëpo deri më tani nuk kemi pranuar asnjë ankesë zyrtare në Ministri”, u shpreh ajo.
Platforma “e-Kosova” mbetet mjeti kryesor për aplikim, dhe Ministria ka inkurajuar prindërit që ende nuk kanë aplikuar, ta bëjnë këtë sa më parë për të përfituar nga subvencioni para fillimit të vitit të ri shkollor.