Ministria e Mbrojtjes i cilëson dezinformata raportimet për mundësinë e largimit të trupave amerikane nga Kosova

26.02.2025

Ministria e Mbrojtjes së Kosovës ka reaguar ashpër ndaj raportimeve të medias gjermane “Bild” për një tërheqje të mundshme të trupave amerikane nga Kosova, duke i cilësuar ato si dezinformata të përhapura nga aktorë të jashtëm me qëllim destabilizimin e vendit dhe Ballkanit Perëndimor.

“Ky lajm i qarkulluar nga disa faqe interneti dhe kanale televizive është dezinformatë e përhapur nga aktorë të jashtëm që synojnë destabilizimin e vendit dhe Ballkanit Perëndimor”, ka thënë Ministria e Mbrojtjes e Kosovës në një përgjigje me shkrim për mediumin “Anadolu”.

Ministria ka theksuar se për tërheqje të trupave amerikane nga Forca e NATO-s në Kosovë (KFOR) “as që bëhet fjalë”, duke sqaruar se vendime të tilla për vendosjen ose tërheqjen nuk merren në baza të rastësishme.

Ndërkohë, një zyrtar i NATO-s ka konfirmuar për mediumin se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të luajnë një rol themelor me kontributin e tyre të rrënjosur thellë në KFOR dhe aktualisht mbështesin misionin me më shumë se 600 trupa.

“Zyrtarët amerikanë e kanë bërë të qartë angazhimin e tyre ndaj Aleancës…, duke përfshirë praninë e SHBA-së në Evropë dhe nevojën që parandalimi dhe mbrojtja e NATO-s të mbetet e fortë”, ka thënë zyrtari, duke shtuar se SHBA-ja pret që aleatët e saj të NATO-s të bëjnë dhe të investojnë më shumë për sigurinë e përbashkët.

Raportimi i gazetës gjermane “Bild” javën e kaluar, i cili ngriti shqetësime për një reduktim të mundshëm të trupave amerikane në Evropë, duke përmendur në mënyrë specifike Kosovën, ka shkaktuar reagime të shumta. Sipas “Bild”, Italia po përgatitet për një tërheqje të mundshme të trupave amerikane nga Kosova, duke paralajmëruar se kjo do të linte aleatët evropianë të vetëm në Ballkan “kundër mikut të Putinit, Aleksandar Vuçiq dhe ushtrisë së tij të fuqishme serbe”.