Ministria e Mbrojtjes ndan mbi 218 mijë euro për ndërtimin e pikës së karburantit në kazermën e FSK-së në Shirokë
Ministria e Mbrojtjes ka finalizuar procedurat e prokurimit për projektin e ndërtimit të pikave të karburantit në kazermat e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), duke e ndarë atë në disa pjesë.
Për Pjesën 1 të këtij projekti, e cila parashikon ndërtimin e pikës së karburantit në kazermën e vendosur në fshatin Shirokë të Komunës së Suharekës, kontrata i është besuar grupit të operatorëve ekonomikë “Archi Time Group” SH.P.K. dhe “Cubic Group” SH.P.K.
Vlera totale e kësaj kontrate për këtë pjesë kap shifrën prej 218,500.05 euro, pasi ky grup operatorësh u përzgjodh si ofertuesi i përgjegjshëm me çmimin më të ulët nga gjithsej gjashtë oferta të pranuara në këtë garë. Ky investim bëhet në kuadër të përpjekjeve të vazhdueshme për ngritjen dhe modernizimin e infrastrukturës mbështetëse e logjistike të FSK-së në këtë zonë.
