Kosova dhe SHBA thellojnë bashkëpunimin në mbrojtje, diskutime për rrugën drejt NATO-s
Ministri në detyrë i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, ka bërë të ditur se gjatë vizitës zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është pritur në Departamentin e Luftës nga Ndihmës Sekretari i Luftës, Daniel Zimmerman.
Përmes një postimi në Facebook, Maqedonci njoftoi se në takim janë zhvilluar diskutime mbi situatën e sigurisë, thellimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe bashkëpunimin në industrinë e mbrojtjes.
Sipas tij, zyrtari amerikan ka vlerësuar investimet e Kosovës në mbrojtje, avancimin e kapaciteteve ushtarake dhe angazhimin e ushtarakëve kosovarë përkrah forcave amerikane në misionet paqeruajtëse.
Maqedonci theksoi se në takim është diskutuar edhe për projekte strategjike që synojnë thellimin e partneritetit me SHBA-të dhe avancimin e Kosovës drejt anëtarësimit në NATO.
“Partneriteti me Shtetet e Bashkuara mbetet themel i sigurisë sonë dhe garanci për ndërtimin e një ushtrie moderne dhe profesionale”, ka shkruar Maqedonci.
