Ministri Murati i fton bashkatdhetarët të investojnë në Bonot e Diasporës

Ministri Murati i fton bashkatdhetarët të investojnë në Bonot e Diasporës
Fjolla Hoxha

21.07.2021 / Lajme

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve njofton se nga sot hapet shitja e Bonove të Diasporës, ku do të emetohen Bono me maturitet 3 dhe 5 vjeçar në shumën prej 20 milionë euro.

Ministri i Financave, Punës dhe transferove, Hekuran Murati, ka ftuar bashkatdhetarët që të blejnë Bonot e Diasporës, përmes së cilave ai thotë se mund të investohet në kursime, për t’i vënë ato në funksion të zhvillimit ekonomik të vendit.

Ministri Murati ka shkruar në rrjetin social Facebook se Bonot do të jenë me maturitet 3 dhe 5-vjeçar.

“Bonot e Diasporës janë mundësi e mirë që ju t’i investoni kursimet tuaja duke i vënë ato në funksion të zhvillimit ekonomik të vendit, dhe njëkohësisht të përfitoni edhe interes nga investimi juaj. Pas arritjes së afatit kohor të maturimit (3 vite dhe 5 vite), investimi u kthehet në shumën e plotë që keni investuar“, ka shkruar Murati.

Ministri Murati ka bërë të ditur se afati për investim në Bono të Diasporës është deri më 18 gusht.

“Afati deri kur mund të investoni në Bono të Diasporës është data 18 gusht, dhe këtë mund ta bëni duke u drejtuar në njërën nga bankat partnere, nëpërmes të cilave bëhet shitja”, ka shkruar Murati.

Ndryshe, Bonot e Diasporës janë letra me vlerë të garantuara nga shteti përmes Ligjit mbi Borxhin Publik, i cili i jep përparësi kthimit të borxhit ndaj të gjitha shpenzimeve tjera të Qeverisë. Prandaj, investimi në Bonot e Diasporës mund të konsiderohet si investimi më i sigurt në Republikën e Kosovës.

Për detaje rreth pjesëmarrjes në blerjen e letrave me vlerë, të interesuarit të kontaktojnë ndonjërën nga bankat komerciale, partnere në emetimin e Bonove të Diasporës: Banka Ekonomike, Banka Kombëtare Tregtare, Banka për Biznes, NLB Banka, ProCredit Bank, apo Raiffeisen Bank.

Themele të sigurta të së ardhmes, N.T.P.SH “HALITI”, gjiganti i ndërtimit në Suharekë

Të investosh në të ardhmen është gjëja më e duhur që çdo person do duhej ta ketë parasysh në secilin...

Lexo më shumë

Të fundit