Ministri Maqedonci: Gratë ushtarake, krenaria e FSK-së dhe shtylla e forcimit të saj
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka shprehur admirimin e tij të thellë për kontributin e grave ushtarake në Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK).
Në një postim në rrjetet sociale, ministri Maqedonci ka theksuar se gratë ushtarake janë një pjesë integrale e FSK-së dhe se ato shërbejnë me profesionalizëm dhe patriotizëm të lartë në të gjitha degët e forcave të armatosura.
“Si ish ushtarak kam pasur fatin e nderit që të punoj me gra dhe vajza ushtarake në vendin tonë. Forca jonë e Sigurisë i ka 358 gra e vajza ushtarake. Ato shërbejnë në të gjitha armët me profesionalizëm dhe me patriotizëm të lartë. Ato janë krenaria e Forcës sonë”, ka shkruar ministri Maqedonci.
Me rastin e shpalljes së vitit 2025 si Viti i Gruas, ministri Maqedonci ka veçuar kontributin e grave oficere në forcimin e FSK-së. Ai ka theksuar se numri i grave në pozita udhëheqëse në FSK është në rritje dhe se ky trend do të vazhdojë edhe në të ardhmen.
“Në FSK i kemi 1 Gjeneralmajore, 1 Kolonele, 3 Nënkolonele, 3 majore, 3 kapitene, 13 togere, 9 nëntogere, 226 nënoficere e 90 ushtare. Presim çdo muaj e vit që këto numra të rriten e për këtë do të punojmë së bashku që ta mbërrijmë. Nuk do ta ndalim punën deri të bëhen të paktën 1000 ushtarake”, ka shtuar ministri Maqedonci.
Ministri Maqedonci ka ftuar vajzat të aplikojnë në konkurset e ardhshme për kadete, duke theksuar se FSK ofron mundësi të shkëlqyera për zhvillim profesional dhe personal.