Më 10 korrik fillon regjistrimi i votuesve jashtë vendit, s’do të telefonohen më të gjithë aplikuesit

07.07.2021

Kanë mbetur edhe rreth 4 muaj deri në datën kur do të mbahen zgjedhjet lokale, 17 tetor. Në këto zgjedhje do të kenë mundësi të votojnë edhe mërgimtarët. Në mbledhjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) u tha se nga data 10 korrik do të filloj regjistrimi i votuesve jashtë vendit. Me procedurë të re […]

Më 10 korrik fillon regjistrimi i votuesve jashtë vendit, s’do të telefonohen më të gjithë aplikuesit Foto: Ilustrim

Kanë mbetur edhe rreth 4 muaj deri në datën kur do të mbahen zgjedhjet lokale, 17 tetor.

Në këto zgjedhje do të kenë mundësi të votojnë edhe mërgimtarët.

Në mbledhjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) u tha se nga data 10 korrik do të filloj regjistrimi i votuesve jashtë vendit.

Me procedurë të re për verifikim të aplikuesve për votim jashtë vendit, tashmë nuk do të telefonohen të gjithë aplikuesit.

Udhëzimi administrativ, i miratuar gjatë zgjedhjeve të parakohshme të 14 shkurtit, është shfuqizuar nga KQZ-ja, ku në ato zgjedhje ishte vendosur që të telefonohen për verifikim të gjithë aplikuesit, ndërsa përmes udhëzimit të ri, mënyra e verifikimit ka pësuar ndryshime.

Me udhëzim të ri KQZ do të verifikojë 2 për qind (%) të aplikuesve të aprovuar me metodën e përzgjedhjes së rastësishme.

Po ashtu KQZ do të verifikojë edhe rastet kur i njëjti numër i telefonit përdorët në më shumë se një aplikacion me mbiemra të ndryshëm.

Do të verifikohen edhe në rastet kur në një adresë elektronike përdorët në më shumë se një aplikacione me mbiemra të ndryshëm.

Të gjitha këto raste të lartëcekura, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do t’i verifikojë përmes thirrjeve telefonike.

“Nëse aplikuesi nuk e hap telefonin në thirrjen e parë, do të bëhen edhe dy tentime të tjera në periudha të ndryshme kohore brenda periudhës së aplikimit për regjistrim”, thuhet në udhëzimin e KQZ-së.

Sipas këtij udhëzimit të ri, ky institucion do të denoncojë rastet e keqpërdorimeve në Prokurorinë e Shtetit.

“Një aktivitet me rëndësi është operacioni i votimit përmes postës që do të filloj nga data 10 korrik, pra periudha e regjistrimit si votues jashtë vendit”, tha kryeshefi Ekzekutiv i Sekretariatit të KQZ-së, Burim Ahmetaj.

Për këtë udhëzim ka folur edhe përfaqësuesi i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Florian Dushi, i cili tha se verifikimi nuk është i nevojshëm që të bëhet tek të gjitha kategoritë.

“Verifikimi nuk është i nevojshëm të bëhet te të gjitha rastet por vetëm tek disa kategori si të dyshimta.

Do të zgjidhet rastësisht vetëm 2 për qind për verifikim andaj kërkojmë shfuqizimin e Vendimit për Verifikimin e Aplikacioneve për Regjistrim për periudhën e Aplikimi për Regjistrim të votuesve jashtë vendit”.

Ndërsa përfaqësuesi i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Sami Kurteshi, ka kërkuar futjen e një neni që lejon aplikim online të aplikuesve jashtë vendit.