Mbyllet afati i aplikimeve, KQZ mblidhet për certifikimin e 9 subjekteve politike

14.08.2025

Të mërkurën në mesnatë është mbyllur afati për aplikimin e subjekteve politike dhe dorëzimin e listave me emrat e kandidatëve për Zgjedhjet Lokale të 12 tetorit, që do të mbahen për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvende Komunale.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, ka bërë të ditur për RTKLive se gjatë ditës së sotme do të publikohet lista me të gjitha subjektet politike që kanë aplikuar për certifikim.

Ndërkohë, të enjten, më 14 gusht, në orën 14:00, KQZ do të mbajë mbledhjen e radhës ku pritet të certifikojë grupin e dytë të subjekteve politike që do të marrin pjesë në zgjedhje. Në rend dite është certifikimi i nëntë subjekteve politike – katër iniciativa qytetare dhe pesë kandidatë të pavarur.

Sipas të dhënave, numri i përgjithshëm i kandidatëve nga këto subjekte është 66, prej të cilëve katër garojnë për postin e Kryetarit të Komunës, ndërsa 62 të tjerë për anëtarë të Kuvendeve Komunale.