Mbrojtja e Hysni Gucatit kërkon lirimin e tij me kusht

01.10.2020

Në paraqitjen e parë përpara Dhomave të Specializuara në Hagë, të kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, mbrojtja ka kërkuar nga gjykatësi lirimin e tij me kusht, derisa procesi është pezull dhe nuk ka aktakuzë të ngritur ndaj tij. “Është çështja e lirimit me kusht. Prokurorisë i është dhënë kohë […]

Mbrojtja e Hysni Gucatit kërkon lirimin e tij me kusht Foto: Ilustrim

Në paraqitjen e parë përpara Dhomave të Specializuara në Hagë, të kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, mbrojtja ka kërkuar nga gjykatësi lirimin e tij me kusht, derisa procesi është pezull dhe nuk ka aktakuzë të ngritur ndaj tij.

“Është çështja e lirimit me kusht. Prokurorisë i është dhënë kohë t’i përgjigjet kundërshtimeve me shkrim për ligjshmërinë e arrestimit, ndërkohë Gucati është në paraburgim e pret përgjigjen e prokurorisë. Kërkoj nga ju i nderuari Gjykatës të merrni parasysh mundësinë e dhënies së lirimit me kusht për të”, tha ai.

“Kryetari i OVL-UÇK’së, Hysni Gucati në kërkesën për lirim me kusht do të qëndrojë 100 metra larg zyrës së OVL-UÇK’së”, ka thënë mbrojtja e tij.

Në sallën e gjyqit të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë është mbajtur paraqitja e parë e kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), Hysni Gucatit.

Hysni Gucati u arrestua më 25 shtator në Kosovë, nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, në bazë të një fletarrestimi dhe urdhri për transferim, të lëshuara nga një gjykatës i Dhomave të Specializuara të Kosovës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Për të dyshuarin është lëshuar fletarrestim për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, përkatësisht për frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës, të parapara në Kodin Penal të Kosovës, sikurse përfshihen në nenin 15(2) të Ligjit nr. 05/L-53 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.