Mbi 9,800 pako me vota nga diaspora verifikohen – 2,500 refuzohen nga KQZ
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka përfunduar vlerësimin e mbi 9,800 pakove të supozuara me fletëvotime që i takojnë raundit të dytë të zgjedhjeve për kryetarë të komunave, të sjella nga votimi me postë jashtë Kosovës.
Foto: Ilustrim
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se jo të gjitha këto pako kanë marrë aprovimin e institucioneve zgjedhore. Ai thekson se rreth 2,570 pako janë refuzuar dhe nuk do të përfshihen në numërim, kryesisht për shkak se në 2,500 raste mungon dëftesa e regjistrimit, një dokument unik që votuesi e merr nga KQZ-ja gjatë regjistrimit.
“Deri të premten, në orën 10:00, nga pjesa e pakove me fletëvotime që janë sjellë në Kosovë, procesit të vlerësimit i janë nënshtruar më shumë se 9,800, prej të cilave janë aprovuar më shumë se 7,240, ndërkaq janë refuzuar rreth 2,570. Arsyeja më e shprehur se përse janë refuzuar këto pako është mungesa e dëftesës së regjistrimit”, tha Elezi për Ekonomia Online.
Sipas KQZ-së, më 11 dhe 12 nëntor, nga kutitë postare të Komisionit në 22 shtete të ndryshme të botës, janë tërhequr 13,084 pako me fletëvotime, që i përkasin votimit jashtë vendit për kryetarët e 18 komunave. Deri tani, pjesa më e madhe e tyre janë sjellë në Kosovë dhe janë nën procesin e vlerësimit.
KQZ ka bërë të ditur se, në fund të këtij procesi, do të publikohen të dhënat për secilën komunë, duke treguar numrin e pakove të supozuara me fletëvotime që do të numërohen në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.