8 vjet e 6 muaj burg për 23-vjeçarin nga Kosova në Danimarkë

08.09.2026

Një 23-vjeçar nga Kosova është dënuar me 8 vjet e 6 muaj burgim nga Gjykata e Koldingut në Danimarkë, pasi u shpall fajtor për trafikim të kokainës në zonën e Grindstedit.

Sipas vendimit të gjykatës, i riu kosovar dhe një 17-vjeçar nga Siria kishin poseduar së bashku të paktën katër kilogramë kokainë, me qëllim shpërndarjen e saj. Policia kishte sekuestruar rreth një kilogram drogë, ndërsa për pjesën tjetër të sasisë provat ishin siguruar përmes telefonave, përgjimeve, të dhënave të MobilePay dhe metodave të tjera hetimore.

Gjykata e konsideroi 23-vjeçarin nga Kosova si person me rol drejtues në aktivitetin e trafikimit. Përveç dënimit me burg, ai është dëbuar nga Danimarka dhe ndaj tij është vendosur ndalim i përhershëm i hyrjes në vend.

Në të njëjtin rast, 17-vjeçari sirian u dënua me 5 vjet e 9 muaj burgim, ndërsa një 40-vjeçar tjetër me 4 vjet e 6 muaj burgim.

Dy të rinjtë janë shpallur fajtorë edhe për vepra që lidhen me dhunë, shtrëngim dhe heqje të lirisë, ndërsa 23-vjeçari kosovar është dënuar edhe për sulm të rëndë ndaj një personi tjetër.

Të tre të pandehurit i kanë mohuar akuzat për trafikim të drogës. Vendimi nuk është ende përfundimtar, pasi 23-vjeçari dhe 40-vjeçari kanë apeluar në Gjykatën e Lartë Perëndimore.