Mbi 4600 vaksina Pfizer arrijnë sot në Kosovë donacion nga BE

04.05.2021

Janë bërë më shumë se një muaj që nga ardhja e kontingjentit të parë në Kosovë me vaksina kundër COVID-19. Kontingjenti i parë kishte rreth 24 mijë doza të vaksinës “AstraZeneca”, kontingjent ky i mundësuar nga UNICEF me programin e COVAX. Vaksinimi i qytetarëve ka përfunduar pasiqë të gjitha dozat e kësaj vaksine janë shpenzuar, […]

Mbi 4600 vaksina Pfizer arrijnë sot në Kosovë donacion nga BE Foto: Ilustrim

Janë bërë më shumë se një muaj që nga ardhja e kontingjentit të parë në Kosovë me vaksina kundër COVID-19.

Kontingjenti i parë kishte rreth 24 mijë doza të vaksinës “AstraZeneca”, kontingjent ky i mundësuar nga UNICEF me programin e COVAX.

Vaksinimi i qytetarëve ka përfunduar pasiqë të gjitha dozat e kësaj vaksine janë shpenzuar, kështu duke bërë që të ndërpritet për një kohë të pacaktuar vaksinimi i personave me vaksinën kundër COVID-19.

Ndërsa sot në Kosovë pritet të arrijnë rreth 4 mijë e 680 doza të vaksinës kundër COVID-19 të llojit Pfizer.

Vaksinat që pritet të arrijnë sot janë pjesë e kontingjentit të 95 mijë vaksinave Pfizer që Bashkimi Evropian (BE) do t’i sjellë në Kosovë.

Ardhjen e kontingjentit me mbi 4 mijë doza të vaksinës e ka konfirmuar zyra për komunikim e Ministrisë së Shëndetësisë, ku edhe kanë deklaruar se gjithashtu edhe gjatë javëve në vazhdim do të arrijnë kontingjente të tjera.

“Sot pritet të vijnë 4680 vaksina Pfizer të BE-së. Edhe gjatë javëve në vijim pritet të vijnë kontingjent deri në marrjen e të gjitha 95 000 dozave”, thuhet nga Ministria e Shëndetësisë (MSh) për KosovaPress.

Ndryshe gjatë ditës së djeshme janë konfirmuar edhe 101 raste të reja me COVID-19 dhe 4 raste të vdekjes, një prej tyre në Suharekë i moshës 59 vjeç.