MASHTI ndanë 150 mijë euro për punën hulumtuese të profesorëve

29.05.2024

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) ka ndarë 150 mijë euro për hulumtime shkencore për profesorët universitar. Nga kjo shumë, stafi akademik i universiteteve publike mund t’i fitojë nga 10 mijë euro për secilin grand që paraqesin.

MASHTI ndanë 150 mijë euro për punën hulumtuese të profesorëve Foto: Ilustrim

Ministrja Arbërie Nagavci thotë se MASHTI është e përkushtuar që ta rrisë prodhimin shkencor në Kosovë. Për këtë, ajo tha se ka marrë një varg masash e veprimesh, duke synuar që ta bëjë hulumtimin pjesë të kulturës së punës në universitetet publike.

“Të gjithë profesorët që kanë kontratë të rregullt pune me universitetet publike si staf akademik mund të fitojnë 10 mijë euro grant për ta aplikuar hulumtimin në procesin e punës. Thirrja për aplikim në këto grante tashmë është publikuar, dhe qëndron e hapur deri sa të jepen 15 grante 10 mijë Euro secili”, deklaroi ministrja Nagvaci.

Ajo me këtë rast i fton profesorët e universiteteve publike, të aplikojnë me ide kreative dhe të guximshme për mësimdhënie të bazuar në hulumtim. “Ju siguroj se 15 më të mirët prej jush do ta fitojnë grantin me 100% meritokraci”, ka shkruar ministrja e Arsimit.