MASHTI bën thirrje për veprim: Të mbrojmë fëmijët nga rreziqet e internetit

para 46 dite

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHTI) ka shprehur shqetësim të thellë për rritjen e rasteve të lëndimeve të nxënësve si pasojë e lojërave të rrezikshme online dhe ka bërë thirrje për një veprim të bashkërenduar për të mbrojtur fëmijët.

MASHTI bën thirrje për veprim: Të mbrojmë fëmijët nga rreziqet e internetit

Në një njoftim për media, MASHTI thekson rëndësinë e një qasje ndërsektoriale për të adresuar këtë problem, duke përfshirë bashkëpunimin e ngushtë me institucionet arsimore, strukturat e mbrojtjes së fëmijëve në nivel komunal dhe organizata të tjera të përfshira.

“Duhet të vlerësojmë rrethanat e përgjithshme dhe profilet e fëmijëve që ndikohen lehtë dhe përfshihen në rreziqe për vete dhe të tjerët”, thuhet në njoftim.

Ministria ka zhvilluar materiale didaktike të dedikuara për të ndihmuar edukatorët, nxënësit dhe prindërit të kuptojnë më mirë rreziqet e internetit dhe të mësojnë si të përdorin internetin në mënyrë të sigurt dhe të përgjegjshme. Paketa e udhëzuesve “Udhëtimi nëpër internet” ofron një qasje gjithëpërfshirëse për të trajtuar këtë temë në shkollë dhe në shtëpi.

“Kërkojmë që rreziqet online dhe edukimi për përdorimin e sigurt e të dobishëm të internetit, të trajtohet me efikasitet në shkolla dhe shtëpi”, thuhet më tej në njoftim.

MASHTI po zhvillon aktivitete të vazhdueshme në të gjithë vendin për të rritur ndërgjegjësimin rreth rreziqeve të internetit dhe për të inkurajuar bashkëpunimin midis të gjitha palëve të interesuara. Stafi i ministrisë po mban seanca të rregullta me stafin e shkollave, prindërit, nxënësit dhe shërbimet e tjera për të diskutuar çështje të lidhura me mbrojtjen e fëmijëve dhe për të zhvilluar strategji të përbashkëta.

Etiketat

Ofertat e fundit