Masat e reja që pritet të hyjnë në fuqi pas 13 shtatorit

10.09.2021

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, gjatë ditës së sotme ka mbajtur një takim virtual me kryetarët e komunave, ku është diskutuar rreth masave të reja që pritet të hyjnë në fuqi pas datës 13 shtator. Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) ka dhënë detaje nga takimi që ka pasur ministri Vitia me kryetarët e komunave, […]

Masat e reja që pritet të hyjnë në fuqi pas 13 shtatorit Foto: Ilustrim

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, gjatë ditës së sotme ka mbajtur një takim virtual me kryetarët e komunave, ku është diskutuar rreth masave të reja që pritet të hyjnë në fuqi pas datës 13 shtator.

Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) ka dhënë detaje nga takimi që ka pasur ministri Vitia me kryetarët e komunave, sipas AKK-së i pari i ministrisë së Shëndetësisë i ka njoftuar kryetarët e komunave për masat e reja që pritet të miratohen më 13 shtator dhe që do të jenë të vlefshme deri më 26 shtator.

Me këtë njoftim të AKK-së është shuar edhe dilema për fillimin e vitit të ri shkollor më 13 shtator, pasi që ky asociacion ka bërë të ditur se mësimi në të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar nuk fillon para datës 26 shtator.

Takimet do të lejohen vetëm deri në 20 persona, me distancë 1.5 metra. Institucionet publike do të jenë të obliguara të punojnë vetëm me staf esencial.

Sipas këtij njoftimi, është bërë e ditur se gastronomia do të vazhdojë të punojë me masat e deritanishme, pra deri në orën 21:30 dhe duke lejuar shfrytëzimin e vetëm hapësirave të jashtme.

Gjithashtu, në pikat kufitare nga 13 shtatori qytetarët mbi moshën 16 vjeçare janë të obliguar të paraqesin certifikatën e vaksinimit ose testet relevante si deri më tani.

Po ashtu, qendrat kulturore dhe institucionet e kulturës në varësi të MKRS dhe Komunave pezullojnë aktivitetet deri më 26 shtator.

Ndryshe, masat e tjera anti-COVID vazhdojnë siç kanë qenë në këto dy javët e fundit.

AKK ka bërë të ditur se nga data 27 shtator do të ketë masa të reja në varësi nga analizat dhe situata që mund të jetë në atë kohë në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) dhe institucionet tjera shëndetësore në nivel vendi.