AKK: Komunat po përballen me bllokada buxhetore, në rrezik miliona euro investime
Asociacioni i Komunave të Kosovës ka ngritur shqetësimin se komunave po u pamundësohet rishikimi i buxhetit, duke vënë në rrezik realizimin e shumë projekteve kapitale dhe humbjen e miliona eurove.
Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, tha se mungesa e mundësisë për rishikimin e buxheteve lokale po krijon vështirësi të mëdha në menaxhimin e fondeve, veçanërisht pas vendimeve gjyqësore që kanë ndikuar në financat e komunave.
Sipas tij, shumë projekte kanë mbetur pa u realizuar, ndërsa komunat po kërkojnë që pas zgjedhjeve të 7 qershorit të lejohet rishikimi i buxhetit për të adresuar nevojat dhe sfidat aktuale.
AKK ka shprehur gjithashtu pakënaqësi për ndarjet buxhetore nga niveli qendror, duke theksuar se pjesa më e madhe e rritjes së grantit për vitin 2027 do të shkojë për paga dhe mëditje, e jo për zhvillim ekonomik lokal.
Një tjetër shqetësim mbetet sistemi i ri i tatimit në pronë, për të cilin komunat paralajmërojnë se mund të shkaktojë humbje milionëshe në të hyrat vetanake, duke ndikuar drejtpërdrejt në investimet kapitale dhe shërbimet për qytetarët.
