Përurohet Klinika e Kardiologjisë në QKUK, dyfishohen kapacitetet e trajtimit
Është përuruar Klinika e rinovuar e Kardiologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), një investim prej rreth 1.5 milion euro që synon përmirësimin e shërbimeve dhe rritjen e kapaciteteve për trajtimin e pacientëve me sëmundje kardiovaskulare.
Në ceremoninë e përurimit morën pjesë kryeministri Albin Kurti, ministri i Shëndetësisë Arben Vitia dhe ambasadori i Luksemburgut Eric Dietz.
Kurti theksoi se përmes këtij investimi janë modernizuar hapësirat, janë siguruar pajisje bashkëkohore dhe janë përmirësuar kushtet infrastrukturore.
Sipas tij, kapacitetet për ndërhyrje kardiologjike pritet të dyfishohen, duke kaluar nga 4 mijë në 8 mijë në vit, çka do të ndikojë drejtpërdrejt në uljen e listave të pritjes dhe përmirësimin e kujdesit për pacientët.
Ambasadori Dietz e cilësoi projektin si një hap të rëndësishëm për forcimin e sistemit shëndetësor në Kosovë, duke theksuar se bashkëpunimi me Luksemburgun po jep rezultate konkrete.
Ai bëri të ditur se mbi 1,000 pacientë janë trajtuar tashmë pas renovimit, ndërsa mbështetja në trajnime dhe pajisje mjekësore do të vazhdojë edhe në të ardhmen.
