Masa të reja nga e hëna, ministri Vitia mbledh sot kryetarët e komunave

23.09.2021

Që nga 31 gushti masat anti-COVID janë në fuqi, ku këto masa karakterizohen me orë policore, kufizim i orarit të punës së gastronomisë, shtyrja e fillimit të vitit të ri shkollor, bartja e maskës, respektim i distancës, higjienës, e shumë të tjera. Këto masa të njëjta ishin miratuar edhe me datën 13 shtator të këtij […]

Masa të reja nga e hëna, ministri Vitia mbledh sot kryetarët e komunave

Që nga 31 gushti masat anti-COVID janë në fuqi, ku këto masa karakterizohen me orë policore, kufizim i orarit të punës së gastronomisë, shtyrja e fillimit të vitit të ri shkollor, bartja e maskës, respektim i distancës, higjienës, e shumë të tjera.

Këto masa të njëjta ishin miratuar edhe me datën 13 shtator të këtij viti nga Qeveria e Kosovës përmes një mbledhje virtuale, masa këto me disa ndryshime e që janë në fuqi deri me datën 26 shtator.

Gjatë ditës së djeshme ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, gjatë raportimit në Komisionin për Shëndetësi ka deklaruar se rekomandimi i IKSHPK-së është që për shkollat të vazhdojnë masat e njëjta.

Por, një gjë të tillë e ka kundërshtuar ashpër Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Këshilli i Prindërve si dhe Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) duke thënë se procesi mësimor duhet të fillojë, nëse jo me prezencë fizike në shkolla atëherë me ndonjë skenar tjetër.

Ministri Vitia kishte bërë të ditur se çdo dy javë do të bëhet vlerësimi i gjendjes epidemiologjike, ku krahas kësaj do të vendosen edhe masa të tjera anti-COVID, kjo varësisht nga situata me COVID-19.

LEXO EDHE:  Vitia: Më shumë mjekë po kthehen në Kosovë sesa po dalin jashtë

Ndërsa, gjatë ditës së sotme përfaqësues të Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK) do të takohen me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, takim ky për diskutim rreth masave të reja anti-COVID.

Një gjë të tillë e ka konfirmuar për Express vet drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi.

“Sot në orën 14:00 do të takohemi me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia”, ka deklaruar Ibrahimi.

Ndryshe, derisa ishte duke raportuar për situatën me COVID-19 në Komisionin për Shëndetësi, ministri Vitia ka deklaruar se nga data 27 shtator, të gjithë ata që duan të hyjnë brenda hapësirave të lokalve të gastronomisë, duhet të kenë certifikatën e vaksinimit anti-COVID.

“Në masat që jemi duke hartuar tani edhe në gastronomi të aplikohet nga data 27 shtator të aplikohen masa kufizuese vetëm me certifikatë të vaksinimit, me test PCR dhe me test serologjik. Shoqata e Gastronomeve është treguar bashkëpunuese në këtë drejtim. Me këto shifra, një masë e tillë nuk është më pengesë as për sektorin e gastronomisë”, ka deklaruar Vitia.

Etiketat