Nis ndërtimi i deposë qendrore të barnave në Kosovë – investim prej 1.77 milionë euro
Sot ka nisur zyrtarisht ndërtimi i deposë qendrore të barnave në Kosovë, një projekt me vlerë prej 1 milion e 770 mijë eurosh, që synon të sigurojë ruajtjen e barnave në kushte të sigurta dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare.
Ceremonia e përurimit të fillimit të punimeve u mbajt në Fushë Kosovë, ku të pranishëm ishin përfaqësues të Qeverisë dhe institucioneve shëndetësore. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se ky investim i jep fund një periudhe të gjatë të ruajtjes së barnave në kushte të papërshtatshme.
“Që nga privatizimi i Farmedit në vitin 2005, barnat janë ruajtur në ambiente me lagështi dhe rrjedhje uji. Tani, në këtë objekt pranë KQZ-së, do të ruhen barnat sipas standardeve më të larta ndërkombëtare. Punimet do të zgjasin 6 muaj dhe përurimi i objektit të përfunduar pritet të bëhet në fillim të vitit të ardhshëm”, u shpreh Kurti.
Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, e cilësoi këtë moment si emocional dhe të rëndësishëm për sistemin shëndetësor në vend.
“Ky është një nga projektet më të rëndësishme në shëndetësinë kosovare, sepse lidhet drejtpërdrejt me cilësinë e kujdesit për pacientët. Pas më shumë se 20 vitesh ruajtjeje në kushte të papërshtatshme, më në fund po ndërtohet një depo moderne, e cila do të përfshijë edhe sisteme digjitale për menaxhimin dhe distribuimin efikas të barnave”, tha Vitia.
Ndërtimi i deposë qendrore shihet si një hap i rëndësishëm drejt përmirësimit të infrastrukturës së shëndetësisë në Kosovë dhe rritjes së sigurisë në furnizimin me barna.