Maqedonci takohet me gjeneralin italian Iannucci – Theksohet bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes

02.07.2025

Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka zhvilluar sot një takim me gjenerallejtënantin Giovanni Maria Iannucci, Komandant i Komandës Italiane për Operacione të Përbashkëta.

Sipas njoftimit të lëshuar nga Ministria e Mbrojtjes, ky takim u zhvillua në kuadër të angazhimit të vazhdueshëm për forcimin e partneritetit ndërmjet Kosovës dhe Italisë në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.

Gjatë takimit, u diskutua gjendja aktuale e sigurisë në vend, duke u theksuar rëndësia e thellimit të bashkëpunimit bilateral, me theks të veçantë në zhvillimin e industrisë së mbrojtjes.

Ministri Maqedonci e falënderoi gjeneralin Iannucci për mbështetjen e pandërprerë që Italia i ka ofruar Kosovës ndër vite, sidomos përmes angazhimit në kuadër të misionit të KFOR-it, ku Italia mban rolin e vendit me pjesëmarrjen më të madhe të trupave.

Palët ritheksuan përkushtimin e përbashkët për të vazhduar bashkëpunimin në funksion të ruajtjes së paqes dhe stabilitetit në Kosovë dhe në mbarë rajonin.