Maqedonci merr pjesë në paradën ushtarake në Kroaci për 30-vjetorin e Operacionit “Stuhia”

31.07.2025

Ministri në detyrë i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, ka marrë pjesë në paradën ushtarake të organizuar në Kroaci me rastin e 30-vjetorit të Operacionit “Stuhia” (Oluja), një ndër momentet më vendimtare për çlirimin dhe pavarësimin e shtetit kroat.

I ftuar nga Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Mbrojtjes i Kroacisë, Ivan Anušić, Maqedonci ka ndjekur me nderime këtë ngjarje madhore ushtarake, të cilën e cilësoi si parakalimin më të madh të Forcave të Armatosura të Kroacisë që nga pavarësia e saj më 25 qershor 1991.

“Në paradën e ushtrisë kroate, për të shënuar 30-vjetorin e Operacionit ‘Stuhia’, vendimtar për çlirimin e Kroacisë. Me nderime e ndoqa këtë parakalim, që është më i madhi i tillë që nga pavarësimi i Kroacisë”, ka deklaruar Maqedonci.

Operacioni “Stuhia”, i zhvilluar nga 4 deri më 7 gusht të vitit 1995, kundër trupave të të ashtuquajturës “Republika Serbe e Krajinës”, u pasua me luftime deri më 14 gusht dhe ishte vendimtar në përmbylljen e Luftës Kroate për Pavarësi (1991–1995).

Ministri theksoi kontributin e shumë shqiptarëve që morën pjesë në këtë operacion, duke luftuar përkrah ushtarëve kroatë dhe duke ndihmuar në çlirimin e Kroacisë nga regjimi i atëhershëm jugosllav.

“Shumë shqiptarë ishin pjesë e këtij operacioni dhe luftuan krah për krah me ushtarët kroatë, duke kontribuar në çlirimin e popullit kroat dhe pavarësimin e Kroacisë nga Jugosllavia e dominuar nga Serbia”, theksoi ai.

Maqedonci po ashtu vuri në pah lidhjet historike mes popullit shqiptar dhe atij kroat, të ndërtuara në përballje të përbashkëta ndaj politikave agresive dhe hegjemoniste të Serbisë në vitet ’90.

“Kosova dhe Kroacia janë dy shtete aleate që angazhohen për paqe në rajon, sepse shqiptarët dhe kroatët janë dy popuj miq që besojnë në demokraci dhe fqinjësi të mirë. Ne nuk e harrojmë të kaluarën dhe do të angazhohemi së bashku që ajo të mos përsëritet”, u shpreh ministri Maqedonci.