Maqedonci dhe Görgün diskutojnë për thellimin e bashkëpunimit në industrinë e mbrojtjes

13.04.2025

Ministri në detyrë i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, gjatë qëndrimit të tij në Turqi në kuadër të Forumit Diplomatik në Antalya, është takuar me presidentin e Industrisë së Mbrojtjes së Turqisë, prof. dr. Haluk Görgün.

Gjatë këtij takimi, të dy zyrtarët kanë diskutuar për mundësitë e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, me fokus të veçantë në zhvillimin e industrisë së mbrojtjes dhe fuqizimin e kapaciteteve të përbashkëta.

Përmes një postimi në Facebook, Maqedonci ka theksuar rëndësinë e këtij bashkëpunimi, duke nënvizuar se synimi është ndërtimi i një baze të qëndrueshme për prodhimin e municioneve të kalibrave të ndryshëm dhe krijimi i vetëqëndrueshmërisë në këtë sektor.

“Zhvillimi i industrisë së mbrojtjes forcon marrëdhëniet mes vendeve tona, si dhe kontribuon fuqishëm në zhvillimin e mëtejmë të kapaciteteve tona”, ka shkruar Maqedonci, duke e cilësuar bashkëpunimin me Turqinë si strategjik për sigurinë rajonale.