Takim strategjik në SHBA, Kosova përgatitet për prokurime të reja ushtarake me ndihmën amerikane
Ministri në detyrë i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, ka zhvilluar një takim të rëndësishëm me Michael F. Miller, drejtor i Agjencisë për Bashkëpunim në Mbrojtje dhe Siguri të Departamentit Amerikan të Mbrojtjes, në kuadër të panairit ndërkombëtar të mbrojtjes “AUSA 2025” që po mbahet në SHBA.
Takimi u zhvillua në prani të zëvendëskomandantit të FSK-së, gjeneralmajor Enver Cikaqi, atasheut të mbrojtjes së Kosovës në SHBA, Sylejman Cakaj, dhe drejtorit të Departamentit për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Integrime Euro-Atlantike, kolonel Ahmet Ajeti.
Bashkëpunimi përmes FMS, model efikas për Kosovën
Në fokus të takimit ishte forcimi i bashkëpunimit dypalësh në fushën e mbrojtjes, me theks të veçantë në prokurimet strategjike përmes mekanizmit FMS (Foreign Military Sales). Ky mekanizëm është vlerësuar si një nga më efikasët për Kosovën, duke mundësuar blerje shtet më shtet me SHBA-në, me kosto më të ulët dhe cilësi më të lartë të pajisjeve ushtarake.
Prokurime të reja dhe mbështetja për Ukrainën
Përveç bashkëpunimit aktual, në takim është diskutuar edhe për prokurimet e ardhshme që pritet të realizohen për nevojat e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK). Po ashtu, palët biseduan për kontributin e Kosovës në mbështetje të Ukrainës, në kuadër të përpjekjeve globale për t’i dalë në ndihmë këtij vendi që po përballet me agresionin rus.
CISMOA – një hap i rëndësishëm për sigurinë
Në përmbyllje të takimit, drejtori amerikan Michael F. Miller e përgëzoi Kosovën për nënshkrimin e Marrëveshjes për Ndërveprueshmëri dhe Siguri në Komunikim (CISMOA). Sipas tij, ky është një hap thelbësor drejt thellimit të bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe teknologjisë së komunikimit ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara.
Takimi në “AUSA 2025” konfirmon përkushtimin e të dy vendeve për një partneritet të qëndrueshëm strategjik në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.