LVV konfirmon pjesëmarrjen në takimin e thirrur nga Presidentja

01.07.2025

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Salih Zyba, ka deklaruar se subjekti i tij politik do të marrë pjesë në takimin e radhës të thirrur nga Presidentja e Kosovës, takim i cili synon të adresojë bllokadën aktuale në procesin e konstituimit të institucioneve pas zgjedhjeve të fundit parlamentare.

Gjatë një interviste në emisionin “Info Nata” në Tëvë1, Zyba theksoi rëndësinë e çdo takimi që lidhet me konstituimin e Kuvendit, komisioneve dhe funksionimin e brendshëm institucional.

“Po, padyshim që çdo takim që ka të bëjë me konstituimin e Kuvendit dhe të gjitha organeve tjera, si komisionet dhe procedurat e Kuvendit, i mirëpresim,” deklaroi ai.

Megjithatë, Zyba kritikoi qëndrimin e partive opozitare, duke e cilësuar si bllokues dhe të pandryshuar që nga fillimi i procesit.

Ai shtoi se pret që takimi i ardhshëm të mos mbetet vetëm në kuadër të diskutimeve formale, por të sjellë reflektim real nga të gjitha palët, përfshirë edhe Presidenten.

“Qëndrimi zyrtar i Lëvizjes Vetëvendosje do të përcillet përmes kryetarit apo përfaqësuesit përkatës që do të marrë pjesë në takim,” tha Zyba.

Duke komentuar kritikat në drejtim të Presidentes, Zyba hodhi poshtë pretendimet se ajo duhej të ishte më aktive në zgjidhjen e ngërçit politik, duke theksuar se kjo nuk ka qenë përgjegjësi e saj direkte.

Në fund, ai përsëriti që bojkotimi i procesit, sipas tij, është bërë nga të njëjtat subjekte që nga dita e parë, ndonëse mundësia për komunikim dhe bashkëpunim ka qenë e hapur.

Takimi i thirrur nga Presidentja pritet të zhvillohet në ditët në vijim, ndërkohë që vendi mbetet ende pa institucione të konstituuara plotësisht.