“Liri për çlirimtarët”, mijëra shqiptarë protestuan të premtën në Tiranë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së
Sheshi “Skënderbej” në kryeqytetin shqiptar u mbush të premten nga qindra mijëra qytetarë nga të gjitha trevat shqiptare dhe diaspora, të cilët u mblodhën në një protestë madhështore për të shprehur përkrahjen ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Foto: Ilustrim
Me flamuj kombëtarë, pankarta dhe thirrje si “Unë jam UÇK!” dhe “Lironi çlirimtarët!”, protestuesit erdhën nga Tirana, Prishtina, Tetova, Presheva e shumë qytete të tjera për të dërguar një mesazh të qartë kundër, siç u quajtën, akuzave të padrejta ndaj figurave kryesore të UÇK-së – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
“Liria ka emër”
Nën moton “Liria ka emër”, protesta nisi me intonimin e himnit kombëtar, si simbol i bashkimit mbarëkombëtar dhe mbështetjes për vlerat e luftës çlirimtare të popullit shqiptar.
Në skenën e vendosur në shesh, figura të njohura nga politika, shoqëria civile dhe jeta publike mbajtën fjalime të fuqishme në mbështetje të UÇK-së dhe drejtësisë për luftën çlirimtare. Ata theksuan se lufta e UÇK-së ishte e drejtë, legjitime dhe e nevojshme, duke bërë thirrje që drejtësia ndërkombëtare të pranojë të vërtetën historike të popullit shqiptar dhe të hedhë poshtë akuzat që rëndojnë mbi ish-drejtuesit e saj.
Protestë me jehonë ndërkombëtare
Protesta në Tiranë u pasqyrua gjerësisht në media ndërkombëtare, që raportuan për pjesëmarrjen masive dhe për mesazhin e fuqishëm të unitetit kombëtar. Organizatorët dhe pjesëmarrësit theksuan se kjo protestë nuk ishte vetëm një akt simbolik, por një zë i përbashkët në kërkim të drejtësisë, kundër çfarëdo përpjekjeje për të njollosur luftën për liri të Kosovës.
Pjesëmarrësit u shprehën të vendosur që të mos lejojnë rishkrimin e historisë dhe u zotuan se mbështetja për luftëtarët e lirisë do të vazhdojë derisa të arrihet drejtësia e plotë.