Lëvizja VETËVENDOSJE!: Gjykata Speciale po prodhon padrejtësi!
Dhjetë vjet pas themelimit të saj me ndryshime kushtetuese dhe ligje të veçanta, Gjykata Speciale vazhdon të jetë një pikë nevralgjike për Kosovën.
Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar ashpër pas vendimit të Gjykatës Speciale për Kosovë, e cila rrëzoi mocionin e përbashkët të mbrojtjes në rastin “Thaçi dhe të tjerët”. Përmes një postimi në Facebook, partia ka theksuar se ky vendim është dëshmi e një “logjike të përmbysur të drejtësisë” dhe se Gjykata Speciale po “prodhon padrejtësi”.
Në reagimin e saj, Vetëvendosje ka vënë theksin te përgjegjësia e drejtpërdrejtë e qeveritarëve dhe deputetëve që në vitin 2015 miratuan dhe votuan gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, të cilët më pas konfirmuan themelimin e kësaj gjykate. Sipas tyre, ky vendim zbeh qëllimisht vijën ndarëse mes çlirimit dhe agresionit, duke vënë në dyshim përpjekjen e një populli për liri me mjete juridike.
Vetëvendosje e ka quajtur modelin e drejtësisë së Gjykatës Speciale “selektiv”, duke argumentuar se ai nuk sjell drejtësi universale, por krijon një narrativë të rreme që zhvendos fajësinë nga pushtuesi te i çliruari.
“Gjykata Speciale, e themeluar përtej çdo praktike të zakonshme ndërkombëtare, ka vepruar si instrument i imponuar mbi sovranitetin e Kosovës. Në vend që t’i shërbejë të drejtës, ajo i ka shërbyer paragjykimit,” theksohet në reagimin e Vetëvendosjes. Më tej, ata shtojnë se duke hetuar dhe gjykuar padrejtësisht vetëm një palë, Gjykata Speciale ka përjashtuar sistematikisht dhunën shtetërore serbe, e cila është burimi real i gjenocidit dhe krimeve të luftës e krimeve kundër njerëzimit të kryera në Kosovë.
Në dëshmi të këtij pretendimi, Vetëvendosje ka përmendur rastin e Enver Dugollit, një i mbijetuar i masakrës në Burgun e Dubravës. Sipas partisë, Dugolli i është drejtuar Prokurorit të Prokurorisë Speciale në Hagë në prill dhe maj të vitit 2023 me kërkesën për nisjen e hetimeve të krimeve të kryera gjatë masakrës së Dubravës. Ndonëse Prokurori ka kthyer përgjigje se kërkesa do të shqyrtohet, Vetëvendosje thotë se ende sot nuk ka asnjë veprim të njoftuar në këtë drejtim.Lëvizja Vetëvendosje e ka konsideruar momentin aktual si një “moment reflektimi”. Ata kanë theksuar sërish se qeveritarët dhe deputetët që e miratuan dhe votuan themelimin e Gjykatës Speciale në vitin 2015, si dhe gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese që e konfirmuan atë, mbajnë përgjegjësi të drejtpërdrejtë.
“Ata duhet sot të kërkojnë falje, jo si akt formal, por si shenjë vetëdijeje për dëmin e madh institucional dhe moral që kjo gjykatë i ka shkaktuar vendit, kujtesës sonë kolektive dhe të ardhmes sonë,” thuhet në reagim. Kjo, sipas Vetëvendosjes, do të ishte hapi i parë drejt një bashkimi për t’u mbrojtur jo vetëm juridikisht, por edhe shoqërisht nga rreziku i shtrembërimit të thelbit të luftës çlirimtare.
Vetëvendosje ka përfunduar reagimin e saj duke theksuar se ka qenë dhe mbetet e qartë në mbrojtjen e luftës çlirimtare si themel i shtetit dhe kundërshton çdo përpjekje për të relativizuar të drejtën historike për çlirim. “Drejtësia nuk mund të jetë mjet për të rishkruar historinë, as për ta heshtur të vërtetën,” përmbyllet njoftimi.