LDK në Lipjan kërkon dorëheqjen e kryetarit të partisë: “Rezultati kërkon reflektim dhe përgjegjësi politike”
Kryesia e Degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Lipjan ka kërkuar dorëheqjen e kryetarit të partisë pas analizës së rezultateve të zgjedhjeve të fundit.
Në një mbledhje të përbashkët me kryetarët e nëndegëve, drejtuesit e LDK-së në Lipjan kanë falënderuar strukturat, aktivistët dhe qytetarët për angazhimin gjatë procesit zgjedhor, ndërsa kanë bërë një analizë të hollësishme të rezultatit të arritur.
Sipas degës së LDK-së në Lipjan, vota për këtë subjekt në komunë ka mbetur pothuajse e njëjtë krahasuar me zgjedhjet e dhjetorit 2025, duke kaluar nga 6 mijë e 338 vota në 6 mijë e 455 vota në zgjedhjet e qershorit 2026. Megjithatë, kryesia vlerëson se ky rezultat është nën pritjet e strukturave lokale.
Në komunikatën e tyre thuhet se përgjegjësia për rezultatin zgjedhor nuk duhet t’u atribuohet vetëm degëve lokale, por duhet të shihet edhe në nivelin qendror të partisë, duke përfshirë organizimin dhe funksionimin politik.
Pas diskutimeve dhe analizave të rezultateve në qendrat e votimit, Kryesia e Degës së LDK-së në Lipjan ka kërkuar dorëheqjen e kryetarit të LDK-së, duke e cilësuar këtë si një akt të përgjegjësisë politike dhe reflektimit ndaj mesazhit të qytetarëve përmes votës.
Dega e LDK-së në Lipjan ka theksuar se mbetet një nga degët më të konsoliduara të partisë, duke përmendur fitoret në katër palë zgjedhje lokale radhazi dhe sukseset e arritura pa balotazh në disa raste.
Sipas tyre, vetëm përmes reformimit të brendshëm, debatit të hapur dhe llogaridhënies në të gjitha nivelet, LDK-ja mund të rikthejë besimin dhe ambicien për të qenë forcë udhëheqëse politike në vend.
