Kusari-Lila dhe Gërvalla në Kanada, zhvillojnë takime të rëndësishme!

28.05.2024

Shefja e Grupit parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, ka deklaruar se për herë të parë në historinë e shtetit tonë të ri, u zhvillua një takim bilateral në Kanada midis ministreve të Punëve të Jashtme të Kanadasë dhe Kosovës, ministres Melanie Joly dhe zëvendëskryeministres dhe ministres së Jashtme, Donika Gërvalla.

Kusari-Lila dhe Gërvalla në Kanada, zhvillojnë takime të rëndësishme! Foto: Ilustrim

Sipas saj, Kanadaja, si një nga mbështetësit dhe miqtë e Kosovës, ka ndihmuar dhe përkrahur Kosovën në të gjitha fazat e zhvillimit të saj si shtet.

“Prandaj, bashkëpunimi dhe thellimi i marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve tona është i natyrshëm dhe i rëndësishëm për forcimin e shtetësisë tonë.

Kjo mbështetje në raportet diplomatike po shprehet në mikpritjen e ngrohtë gjatë kësaj vizite të delegacionit nga Kosova në kryeqytetin e Kanadasë, Ottawa dhe në gatishmërinë e Qeverisë dhe Parlamentit Kanadez për të thelluar bashkëpunimin në sektorët strategjikë të vendit tonë. Në cilësinë e kryetares së Grupit parlamentar të miqësisë Kosovë-Kanada, po shoqëroj zëvendëskryeministren dhe ministren e Jashtme, Donika Gërvalla Schwarz, gjatë vizitës dyditore në Ottaëa.

Dje, u mbajtën takime me ministren e Jashtme, Melanie Joly, ministrin për Zhvillim Ndërkombëtar, Ahmed Hussen, sekretaren parlamentare për Mbrojtje dhe Siguri, Marie-France Lalonde dhe dy drejtuesit e komisioneve parlamentare të Sigurisë dhe Mbrojtjes, John McKay, dhe Punëve të Jashtme, Peter Boehm.

Sot, takimet vazhdojnë në Parlamentin Kanadez, ku do të takohemi me kryetaren e Grupit parlamentar të miqësisë Kanada-Kosovë, znj. Anita Vandenbeld dhe sekretarin parlamentar për Punë të Jashtme, Robert Oliphant.

Kanadaja jo vetëm që ka qenë, por do të vazhdojë të jetë një shtet mik me të cilin ndajmë vlerat dhe parimet demokratike që karakterizojnë një demokraci progresive”, ka shkruar ajo.