Kusari-Lila: Dënohen katër biznese për shkelje të çmimeve, s’ka ende krizë në furnizimin me derivate

03.04.2026

Mimoza Kusari-Lila ka bërë të ditur se gjatë javëve të fundit janë realizuar mbi 220 inspektime në tregun e derivateve, ku janë evidentuar katër shkelje nga subjekte ekonomike që nuk kanë zbatuar marzhën e lejuar të fitimit.

Sipas saj, ndaj të gjitha këtyre subjekteve janë shqiptuar dënime në përputhje me ligjin në fuqi, ndërsa autoritetet kanë vazhduar me vizita të tjera për të monitoruar situatën dhe për të mbikëqyrur lëvizjen e çmimeve.

Ajo paralajmëroi se masa e radhës, në rast të përsëritjes së shkeljeve, mund të jetë tërheqja e licencës për operim.

Kusari-Lila gjithashtu theksoi se është vërejtur një rënie e sasisë së importuar të derivateve të naftës, por shtoi se kjo nuk mund të konsiderohet ende si krizë.

Sipas saj, pavarësisht rritjes së çmimeve, nuk ka pasur rënie të ndjeshme në furnizim, duke lënë të kuptohet se tregu vazhdon të funksionojë normalisht.