Kusari-Lila viziton Parkun Industrial në Shirokë, 56 biznese punësojnë rreth 2 mijë persona

24.09.2026

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka vizituar Komunën e Suharekës, ku është takuar me kryetarin Bali Muharremaj dhe ka vizituar disa biznese që veprojnë në Parkun Industrial në Shirokë.

Në këtë park aktualisht operojnë 56 biznese nga sektorë të ndryshëm të prodhimit, të cilat punësojnë rreth 2 mijë persona.

Gjatë vizitës, Kusari-Lila ka parë nga afër aktivitetin e kompanisë “Solid SH.P.K.”, e cila merret me prodhimin e këpucëve. Sipas të dhënave të prezantuara gjatë vizitës, rreth 80 për qind e fuqisë punëtore të kompanisë janë gra, ndërsa deri në 75 për qind e produkteve eksportohen në tregjet evropiane dhe së fundmi edhe në SHBA.

Ministrja ka vizituar edhe “Paradisa Glass and Stone”, kompani e themeluar nga Xhemajl Hajdari pas përvojës së tij të punës në Zvicër, ndërsa në Parkun Industrial vepron edhe “WOOD CORPORATION L.L.C.”, e cila eksporton në Zvicër dhe Gjermani dhe punëson mbi 400 persona.

Gjatë takimeve është diskutuar për rritjen e prodhimit vendor, zgjerimin e eksporteve, krijimin e vendeve të reja të punës dhe përfshirjen e grave në sektorin e prodhimit.

Po ashtu, përfaqësuesit e Ministrisë dhe Komunës së Suharekës kanë diskutuar për mirëmbajtjen e Parkut Industrial në Shirokë, si dhe për dizajnin dhe përgatitjen e Parkut Industrial në Duhël.

Kusari-Lila ka thënë se zhvillimi i parqeve industriale, veçanërisht atyre me komponentë të gjelbër, synon të krijojë një model më modern dhe të qëndrueshëm të zhvillimit industrial. Ajo ka bërë të ditur se së shpejti pritet të iniciohet në Gjakovë edhe pilotimi i parë i Parkut Industrial të Gjelbër.