Kur do t’ia nisin punës Ambasada e Zvicrës dhe e Gjermanisë?

Ambasadat e huaja në Kosovë ende nuk kanë një datë të caktuar se kur do të rifillojnë punën si pasojë e pandemisë.

Ambasada e Zvicrës në Kosovë përpos shtetit zviceran përfaqëson edhe pesë shtete tjera të zonës Shengen, Austrinë, Francën, Belgjikën, Holandën dhe Luksemburgun.

Ambasada zvicerane ka deklaruar për Express se rifillimi i punës në këtë ambasadë do të varet nga autoritetet e Kosovës por edhe nga ato zvicerane për të hequr kufizimet e kalimit kufitar.

“Ambasada e Zvicrës ndërsa është akoma e hapur, do të rifillojë aktivitetet e saj normale posa të lejojnë kushtet e përgjithshme një gjë të tillë. Shkaktarët kryesorë do të jenë vendimet e autoriteteve të Kosovës për të zbutur masat e marra për të luftuar COVID-19 dhe vendimet e autoriteteve zvicerane për të hequr kufizimet e kalimit kufitar. Kjo e fundit duket se do të bëhet hap pas hapi.Ambasada e Zvicrës do të bëjë më të mirën për të vazhduar ofrimin e shërbimeve me cilësi të lartë për popullin e Kosovës dhe do t’i mbajë ata të informuar për çdo zhvillim përmes faqes së saj në Facebook”, thuhet në përgjigjen e kësaj ambasade dhënë Gazetës Express.

Ambasada e Gjermanisë e cila ka kërkesa të mëdha për pajisje me viza nga kosovarët thanë për Express se nuk kanë ende datë të caktuar se kur mund të nisin punën, por që për këtë do të njoftohen qytetarët përmes uebfaqes së ambasadës.

“Meqë kjo varet nga masat ndërlidhura me virusin corona, që janë ndërmarrë në Kosovë, edhe në Gjermani, nuk ka ende një datë të caktuar. Të gjitha informatat relevante do të publikohen me kohë në uebfaqen e Ambasadës Gjermane si dhe përmes kanaleve të rrjeteve tona sociale”, thuhet në përgjigjen e ambasadës gjermane në Kosovë./GazetaExpress/

RAPORTO