Policia e Kosovës pranon donacion me pajisje teknologjike nga Ambasada Gjermane
Policia e Kosovës ka pranuar një donacion me pajisje teknologjike moderne nga Ambasada Gjermane në Kosovë, në kuadër të bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërkombëtar.
Donacioni, i cili u pranua nga Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor (ILECU), përfshin kompjuterë, monitorë, iPadë dhe Smart Board modern, të cilat do të shërbejnë për avancimin e kapaciteteve teknologjike dhe profesionale të këtij departamenti.
Ky projekt u realizua në bashkëpunim me Policinë Federale Gjermane (BKA), përmes Zyrës së Ndërlidhësit Policor Gjerman, dhe ka për qëllim përmirësimin e shërbimeve policore në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar.
Gjatë takimit të mbajtur mes drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, kolonel Gazmend Hoxha, dhe ambasadorit gjerman, z. Rainer Rudolph, u vlerësua lart bashkëpunimi mes institucioneve të sigurisë së dy vendeve, si dhe rëndësia e mbështetjes gjermane në rritjen e profesionalizmit dhe cilësisë së punës policore.
Në ceremoninë e pranim-dorëzimit morën pjesë stafi i lartë menaxhues i Policisë së Kosovës, përfaqësues të Drejtorisë së ILECU-t, si dhe stafi i Ambasadës Gjermane, të cilët janë bartës të këtij projekti.
Në fund, Policia e Kosovës shprehu falënderim të veçantë për Ambasadën Gjermane, duke theksuar se ky donacion do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në ngritjen e cilësisë së shërbimeve dhe në forcimin e bashkëpunimit policor ndërkombëtar.