Ambasada Gjermane reagon pas letrës së Petar Petkoviq: Rregullo shtëpinë para se ta qortosh Kosovën
Ambasada Gjermane në Kosovë ka reaguar lidhur me letrën e fundit të Petar Petkoviq, drejtor i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, i cili ka kërkuar ndalimin e ndërtimit të dy urave shtesë mbi lumin Ibër në Mitrovicë.
Foto: Ilustrim
Në njoftimin e saj, ambasada konfirmoi se e ka marrë në konsideratë këtë letër dhe u ka bërë thirrje autoriteteve në Kosovë që të shmangin veprimet që mund të përshkallëzojnë situatën.
“Ambasada Gjermane ka marrë në konsideratë letrën e fundit të Petar Petkoviq, në të cilën ai kërkon nga Bashkimi Evropian, shtetet anëtare të BE-së dhe palët e tjera të interesuara që të ndalojnë atë që ai e përshkruan si ‘veprime përshkallëzuese të situatës nga Prishtina’, përkatësisht ndërtimin e planifikuar të dy urave shtesë mbi lumin Ibër në Mitrovicë. Siç e kemi deklaruar vazhdimisht në përgjigjet tona ndaj pyetjeve të mëparshme të shtypit, i bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës të përmbahet nga lëvizjet përshkallëzuese”, thuhet në deklaratën e ambasadës.
Ambasada gjithashtu thekson se thirrjet për ulje të tensioneve duhet të jenë të balancuara dhe të vlejnë njësoj për të gjitha palët. Në këtë kontekst, ajo ka përmendur edhe mungesën e masave ligjore ndaj autorëve të sulmit në Banjskë.
“Megjithatë, thirrjet për ulje të tensionit duhet të vlejnë në mënyrë të barabartë për të gjitha palët. Sigurisht që nuk është Qeveria e Kosovës ajo që po dështon të zbatojë masa ligjore kundër atyre që janë përgjegjës për sulmin e tmerrshëm në Banjska. Fakti që udhëheqësi i vetëshpallur i atij sulmi, serbi i Kosovës dhe ish-nënkryetari i Listës Serbe, Radoiçiq, pranoi publikisht përgjegjësinë dhe megjithatë vazhdon të lëvizë lirshëm në territorin serb, minon thellësisht përpjekjet për të nxitur besimin dhe llogaridhënien në rajon”, thekson ambasada.
Në fund të reagimit, përmes një proverbi gjerman, ambasada ka lënë të kuptohet se secila palë duhet të reflektojë mbi veprimet e veta përpara se të kritikojë të tjerët.
“Në gjermanisht themi, ‘Erstmal vor der eigenen Haustür kehren’ – së pari pastro para derës tënde. I zhvendosur në situatën aktuale, kjo proverb na kujton se duhet të rregullosh shtëpinë tënde përpara se ta qortosh vazhdimisht Kosovën për vendimet e saj. Mosveprimi në ndjekjen penale të shkelësve të dhunshëm është po aq i keqardhur dhe kundërproduktiv sa çdo masë e pakoordinuar nga Prishtina”, përfundon njoftimi i ambasadës gjermane.